Trump kërcënon Iranin: Për 52 pengjet amerikane, ju sulmojmë në 52 vende

BOTA


Përmes një postimi në Twitter, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka paralajmëruar se forcat e vendit të tij kanë vënë në shënjestër 52 lokacione iraniane dhe do t’i sulmojnë shpejt e fuqishëm në rast se Irani sulmon amerikanët apo asetet e tyre.

Deklarata e kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhi pas vrasjes së gjeneralit të lartë iranian, Qassem Soleimani, përmes një sulmi me dron pranë aeroportit të Bagdadit. Vrasja e tij paraqet tensionim edhe më të madh të marrëdhënieve mes dy shteteve, ndërsa Irani është zotuar se do të hakmerret për sulmin e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan tha se Irani po flet me guxim shumë të madh për shënjestrimin e aseteve të Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se janë piketuar 52 lokacione iraniane, disa prej të cilave kanë rëndësi shumë të madhe për Iranin dhe kulturën e këtij vendi, dhe paralajmëroi se ato do të goditen shumë shpejt dhe fuqishëm, nëse Irani sulmon.

Presidenti tha se kjo shifër paraqet numrin e pengjeve amerikane që u mbajtën të ngujuar për më shumë se një vit nga Irani pasi ishin rrëmbyer nga ambasada amerikane në Tehran. Disa minuta pas kësaj deklarate, faqja e internetit të një agjencie qeveritare amerikane u hakua nga një grup i quajtur “Grupi i Hakerëve Iranianë të Sigurisë Kibernetike”, shkruan “BBC”.

Ndërkohë pak orë më parë, në një tjetër postim, Trump shkroi: “Shtetet e Bashkuara shpenzuan dy trilion dollarë për pajisjet ushtarake. Ne jemi më të mëdhenjtë dhe deri tani më të MIRËT në botë! Nëse Irani sulmon një Bazë Amerikane, apo ndonjë Amerikan, ne do dërgojmë disa nga këto pajisjet e bukura të reja… pa hezitim!”



Skip to toolbar