Përplasjet me Metën për Kushtetuesen, Dvorani kërkon ndryshime ligjore

AKTUALITET


Viti që lam do të mbahet mend për përlasjet midis Presidentit Ilir Meta dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Shkak u bë procedura për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Përplasjet arritën në pikën kulmore, aq sa Ilir Meta ngriti padi ndaj Dvoranit. Ndërkohë, KED publikoi këtë fillim viti raportin e punës për vitin 2019.  Në një pjesë të konsiderueshme, raporti flet edhe për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë raport KED sqaron se procesverbalet e mbledhjeve nuk janë zbardhur për mungesë stafi.  “Kishim tre punonjës me kohë të pjesshme nga gjykata e lartë, dhe kjo ka pamundësuar zbardhjen e procesverbaleve të mbledhjeve të KED e cila është një proces dëgjimi, e më pas transkiptimi”, shprehet Dvorani në raportin e tij.

Më tej, KED, duke u nisur nga përplasjet me Ilir Metën për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, i kërkon Kuvendit ndryshime ligjore me qëllim shmangien e këtyre përplasjeve në të ardhmen. Më konkretisht, KED specifikisht kërkon “për të qartësuar procedurat që ndiqen nga organet e emërtesës dhe nga KED-ja për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese, ekzistencën, rastet, kuptimin dhe mënyrën e zbatimit të rregullit të paraqitjes së dy listave me gjyqtarë dhe jo gjyqtarë kur ka më shumë se një vend vakant në shqyrtim nga i njëjti organ emërtese lidhur me afatet, hapat proceduralë, komunikimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të emërtesës në procesin e plotësimit të vendeve vakante si edhe për të harmonizuar në tërësi gjuhën dhe rregullat materiale dhe procedurale të këtij ligji të posaçëm me ato të ligjit të 2016 që përmban rregullime të natyrës më të përgjithshme”, thuhet në raportin e firmosur nga Ardian Dvorani. /Realstory.al/

Për më tepër lexoni raportin e plotë të KED



Skip to toolbar