Bardhi nga Shkodra: Qeverinë e largojmë me protesta (si në 2019) por s`kemi datë

AKTUALITET


Pasi i shmangu protestat për gjysmën e dytë të vitit 2019, Partia Demokratike po mendon të rikthehet te skenari i shkurtit të vitit të kaluar. Pas një takimi që pati me strukturat e PD në Shkodër, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi u shpreh se PD do të rikthehet te protestat.

“Pa asnjë diskutim që objektivi gjatë vitit 2019 është i njëjti objektiv që kemi edhe për vitin 2020: largimi i qeverisë, jo si dëshirë e opozitës, por si e vetmja mundësi për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit. Pa asnjë diskutim, çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë edhe protestat popullore, janë një mundësi reale për ditët në vijim”, tha Bardhi.

Megjithatë, data e protestave ende nuk është vendosur. Numri dy i PD u shpreh për mediat se sapo të ketë një datë për nisjen e tubimeve në shesh, ajo do të bëhet publike. “Jo, nuk ka një datë konkrete për protestë. Sigurisht, kur të ketë një datë konkrete, ne do ta bëjmë publike. Është një vendim që merret nga Kryesia e partisë. Por, unë ju garantoj, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, që është një mjet demokratik, i cili nuk përjashtohet të aplikohet në ditët e ardhshme”, tha Bardhi.

Nga Shkodra, Gazmend Bardhi akuzoi Ministrinë e Drejtësisë se po vonon dërgimin e letërporosisë së Prokurorisë shqiptare te autoritetet italiane për verifikimin e Mark Babanit. “Dua të sqaroj opinionin që kjo vonesë ka ardhur për shkak të bllokimit nga ministria e drejtësisë, prej një muaji e gjysëm letërporosia e përgatitur nga prokuroria nuk i është dërguar autoriteteve italiane duke sjellë një zvarritje dhe duke lejuar një njeri në konflikt me ligjin të ushtrojë një funksion publik”, tha Bardhi.

Më tej, i pyetur për reformën zgjedhore, Bardhi tha se PD është gati për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste, por sipas tij, ata nuk kanë bërë asnjë hap në këtë drejtim. “Ne jemi duke punuar në mënyrë intensive për reformën zgjedhore, kemi drejt finalizimit të gjithë propozimet tona dhe pyetja nuk shtrohet nëse do marrim pjesë apo jo ne sepse kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore. Deri në këtë moment PS nuk ka hedhur asnjë hap duke tentuar të vonojë realizimin e reformës zgjedhore”, tha Bardhi.

Në fund, Gazmend Bardhi u shpreh se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë SPAK dhe BKH. Por sipas tij, për të ruajtur imazhin e kësaj strukture, “do të duhet që prokurorët, integriteti i të cilëve është vënë në pikëpyetje ose për shkak se janë shërbëtorë të regjimit kominist siç është drejtuesi i SPAK ose për shkak se janë vegla të Ulsi Manjës siç njëri nga prokurorët, do të duhet ti hapin rrugë zgjedhjes së prokurorëve të rinj me integritet dhe që gëzojnë besimin e të gjithëve për ti dhënë imazhin e nevojshëm dhe besueshmerinë e nevojshme SPAK”, tha Bardhi.



Skip to toolbar