Qeveria turke vijon të dërgojë ndihma për Shqipërinë dhe për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa ministri turk i Urbanistikës premtoi nga Tirana se brenda 6 muajve do të ndërtohen 500 shtëpi në qytetin e Laçit.
Gjatë fjalës në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin Ahmetajn, ministri i Mjedisit dhe Urbanistikës së Turqisë, Murat Kurum tha se ka sjellë nga Turqia 1500 çadra të tjera për tërmetin, shërbime shëndetësore si dhe ekipe vlerësimi për dëmet. Kurum se të shtunën do të nënshkruaj një Protokoll bashkëpunimi midis Turqisë dhe Shqipërisë sa i përket vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Po ashtu ai tha se ndërtimi i 500 banesave në Laç të përfundojë brenda 6 muajve.
“E konsiderojmë si një detyrë vëllazërie. Që në orët e para të tragjedisë kontaktuam me ambasadën turke këtu dhe u përpoqëm që të ishim afër jush. Kemi sjellë 1500 çadra të tjera sot në mëngjes si dhe ekipe vlerësimi për dëmet nga tërmeti. Nesër në prani dhe të kryeministrit Rama do të nënshkruajmë një Protokoll bashkëpunimi për dëmet pasi kemi përshpejtuar procesin e vlerësimit të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit. Do ta realizojmë sa më shpejt projektin e rindërtimit në Shqipëri, pasi kemi realizuar edhe në vende të tjera. Brenda këtyre dy ditëve të vizitës sime do të zhvillojmë diskutime me qytetarët e prekur nga tërmeti. Kurse 500 banesat e reja të përshtatura me kulturën tuaj të jetesës duam që brenda 6 muajve të përfundojë projekti, dhe t’i dorëzohen vëllezërve tanë shqiptarë të prekur nga tërmeti”,- tha ministri turk Kurum.
Ndërsa ministria Ahemtaj dha disa detaje sesi është menduar projekti i 500 banesave që do të përfshirë jo vetëm pallate, por edhe ambiente komerçale si dhe dy ndërtesa publike një shkollë dhe bashkia e Thumanës.
“Ndonëse është ende herët, puna ka filluar. Projekti mendohet të jetë rreth 500 banesa për qytetarët që humbën shtëpitë në Thumanë e Lac. Të shoqëruara me ambiente komerciale dhe dy ambiente publike për shkollën dhe ndërtesën e Bashkisë së Thumanës.
Koncepti është përtej ndërtimit të emergjencës por një konceptim teknologjik dhe urbanistik që i mbijeton kohës. Në të njëjtën kohë do të jetë një risi që mund të kthehet në model për projektet e tjera.
Në të njëjtën kohë dua të nënvizoj që procesi i rindërtimit po vijon me hapa të shpejtë, projekti ‘Toki’ pra projekti me Turqinë të përfundojë rreth muajit korrik.
Kjo na vendos ne Shqipërinë në presion të domosdoshëm të nevojës së qytetarëve për të ndjekur afatet bashkë me ministrin turk.
Qeveria ka filluar të përzgjedhë sajtet e reja në Durrës, Kavajë, Tiranë, Thumanë apo dhe në Krujë dhe në Lezhë. Qëllimi ynë siç e ka përmendur edhe Rama, është që deri në fund të vitit të gjitha familjet në fshat të jenë brenda shtëpive. Brenda 2020 të jenë rindërtuar dhe rikonstruktuar të gjitha kopshtet, qendrat shëndetësore apo shkollat”, tha Ahmetaj.