Thaçi, letër Kurtit: Gati të mandatoj dikë tjetër për kryeministër

AKTUALITET


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një letre dërguar kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti i kërkon atij t’i dërgojë një emër për postin e kryeministrit, ndryshe i kujton se bazuar në Kushtetutë është gati të mandatojë një emër tjetër për këtë post.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14,  e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”, thuhet në letrën e Thaçit dërguar Kurtit.


Marrëdhëniet mes Thaçit dhe Kurtit janë të tensionuara dhe kjo u vu re kur Albin Kurti refuzoi tre herë ftesën e Thaçit për takim për t’u mandatuar si kryeministër i Kosovës, duke gjetur pretekste nga më të ndryshmet. Më pas, pas takimit që u zhvillua sipas orarit të përcaktuar nga Kurti dhe jo nga Thaçi, kur të dy palët refuzuan kërkesën e gazetarëve që të shtrëngonin duart me njëri-tjetrin, Hashim Thaçi i la vetëm 48 orë kohë Albin Kurtit që t’i dërgojë emrat e ministrave për qeverinë  e re të Kosovës. Por kjo ende nuk ka ndodhur për shkak se Vetëvendosja ende nuk ka një marrëveshje me LDK-në për krijimin e një qeverie të koalicionit, megjithëse negociatat vijojnë prej muajsh. Duket se kjo letër e Thaçit është një përpjekje e tij për të përshpejtuar arritjen e një marrëveshje mes dy partive për krijimin e një qeverie të re.




Skip to toolbar