Evis Kushi merr drejtimin e PS në Elbasan

AKTUALITET


Socialistët e qytetit të Elbasanit kanë zgjedhur të shtunën deputeten Evis Kushi në postin e kryetares së degës së PS-së së këtij qyteti.  Evis Kushi është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në vitin 2013 dhe është anëtare në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Në kuadër të procesit të riorganizimit Partia Socialiste është duke zhvilluar zgjedhjen e krerëve të rinj të degëve të partisë nëpër rrethe.

Evis Kushi lindi në Elbasan, më 7 tetor 1975. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim Biznesi. Gjithashtu në vitet 2003-2008 ka studiuar në Staffordshire University, Angli, PhD në Ekonomi Turizmi. Në vitin 2010 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në vitin 2016 ka marrë titullin “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Ajo ka një përvojë të gjatë pune në universitet. Nga viti 1998 deri në vitin 2013 ka qenë lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në vitin akademik 2008-2009 ka qenë lektore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Ekonomik, Maqedoni. Në vitet 2012-2013 ka qenë dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Posti i kryetarit të PS-së së Elbasanit është mbajtur më herët nga Xhevahir Budani i cili qëndroi në këtë detyrë për rreth dy vite.



Skip to toolbar