Mazhoranca arrin paktin me opozitën: Reforma zgjedhore, brenda 15 marsit

POLITIKË


Në përfundim të tryezës për reformën zgjedhore, të gjitha palët në takim, si mazhoranca, ashtu dhe opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare janë shprehur se reforma zgjedhore po bëhet me konsensus mes palëve dhe për këtë është përpiluar dhe dokument kuadër, që kjo reformë të arrihet brenda 15 marsit 2020.

Madje, takimi i parë mes bashkëkryetarëve të Komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari ka nxjerrë dokumentin e parë në frymën e konsensusit me opozitën e bashkuar, e cila u përfaqësua në një tryezë jashtë parlamentit, me Petrit Vasilin dhe Oerd Bylykbashin. Palët bien dakord që reforma zgjedhore të miratohet në Kuvend jo më larg se 15 marsi.

Përmes këtij dokumenti, jepet garanci se drafti që do të dakordësohet pas diskutimeve mes Hajdarit, Gjiknurit, Vasilit, Bylykbashit dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe nuk do të ndryshohet në asnjë moment në komisionin e posaçëm dhe do të shkojë për miratim në seancë plenare, siç është rënë dakord në tryezat e dakordësimit. Në rast të mungesës së konsensusit në pika të veçanta, dokumenti parashikon asistencën e OSBE/ODIHR-it me ekspertë të saj.

Dokumenti i firmosur nga palët për reformën zgjedhore

Përfaqësuesi i PS në këto bisedime Damian Gjiknuri u shpreh se në vijim do të punohet me konsensus për arritjen e një marrëveshjeje, ku do të kërkohet edhe ndihma e ekspertëve të ODIHR.

“Kemi një marrëveshje mes palëve, që opozita jashtë parlamentare të përfshihet në diskutime me qëllim arritjen e një produkti të dakordësuar. Ne do përpiqemi të punojmë me konsensus me ndihmën e ODIHR, është ajo ç’ka kemi nisur në komisionin e reformës zgjedhore. Duhet të kuptojmë problemet e sistemit zgjedhor, nuk ka asnjë rekomandim ndërkombëtar, se nuk mund t’i japë kush mend Shqipërisë çfarë sistemi të ndjekë. Do  kërkojmë ekspertizë për administrimin e zgjedhjeve. Komisioni për reformën funksionon pasi aty bëhen të gjitha diskutimet, çdo draft miratohet në komision. Opozita ka një vend në të që nuk e ka shfrytëzuar. Gjetëm një modalitet që të jetë pjesë e punës për reformën zgjedhore. Kemi vullnet të mirë për të gjetur një formë dialogu me opozitën. Maxhoranca është e gatshme të punojë, të dëgjojë propozimet e opozitës, dhe nëse ato janë në përputhje me rekomandimet e ODIHR, do t’i pranojmë .” u shpreh Gjiknuri.

Në përfundim të takimit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili e vlerësuan një hap të rëndësishëm tryezën e përbashkët për reformën zgjedhore, që do t’i kthejë besimin shqiptarëve tek procesi demokratik zgjedhor.

“Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus dhe kjo gjithëpërfshirje e konsensus të shkojë deri në fund. Kemi asistencën ndërkombëtare. Pas kaq kohësh nga kërkesa jonë, për të arritur këtë do të institucionalizohet një forum, Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer gjithë këtë reformë”, tha Bylykbashi.

“E ndan një proces nga paanshmëri me garanci e ekspertizës ndërkombëtare që adreson çështjet që kanë qenë shkaku i shkatërrimit të besimit dhe zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri. Krijon mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të kenë mundësinë të shprehen dhe të realizohet konsensusi që i ka munguar procesit. Besoj se në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejt që në rast të përgjegjshmërisë së duhur do të ishte një mundësi për të ecur para dhe për të çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të blera”, tha Vasili.

Sa i përket uljes në një tryezë me bashkëkryetarin e komisionit Damian Gjiknuri, Petrit Vasili, i cili nga fotot që u shpërndanë nga takimi u shfaq mjaft dashamirës me të, u shpreh: Nuk imponojmë preferencat e palës tjetër, jemi me bindjen për ndërtimin e një procesi solid dhe të pakontestuar nga palët”. Megjithatë, largimi i Gjiknurit ka qenë një nga kushtet e vazhdueshme të Partisë Demokratike për t’u ulur në tryezë me mazhorancën për reformën zgjedhore.



Skip to toolbar