Përkujtohet në Kosovë masakra e Reçakut, që tronditi botën

AKTUALITET


Kosova përkujton më 15 janar (sot) masakrën e përgjakshme të Reçakut që këtë vit shënon 21-vjetorin dhe që mbahet mend nga të gjithë si një ngjarje që tronditi botën mbarë dhe që shënoi një kthesë në diplomacinë botërore, duke bërë që liderët botërorë të kthejnë sytë nga Kosova. I pranishëm në ceremoninë përkujtimore do të jetë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

20 vjet më parë, mëngjesin e 15 janarit, forcat serbe të sigurimit vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak në Komunën e Shtimës. Kjo ngjarje i parapriu fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. I pari  që  i dha zë kësaj ngjarje për gjenocidin që po kryhej në Kosovë, ishte  ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker,  i cili e cilësoi këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”. Walker kishte ardhur një ditë pas ngjarjes makabre në Kosovë, ku edhe kishte parë nga afër kufomat. Edhe sot, ambasadori Walker vazhdon ta cilësojë këtë ngjarje si krim kundër njerëzimit. Ai thotë se ajo çfarë u kishte interpretuar  komunitetit ndërkombëtar në atë kohë, për atë çfarë kishte parë në Reçak vazhdon të qëndrojë edhe sot, e gjallë në sytë  e tij.

Walker kishte rrëfyer se pavarësisht se kishte parë kundërshtime nga disa prej ndërkombëtare, roli i tij në ndërhyrjen e NATO-s mbetet më i rëndësishmi, “Mendoj se sakrificat e bëra në Reçak nga njerëzit atje, ajo çfarë ju ka ndodhur atyre, thellësisht e ka ndryshuar çështjen e Kosovës, nga të qenit një provincë e neglizhuar në atë që është sot; një shtet i pavarur. Besoj sinqerisht, se incidenti i Reçakut, për arsye të ndryshme ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë”, ka deklaruar Walker. William Walker në Kosovë njihet edhe si Heroi i Reçakut, të cilit madje iu ngrit edhe një statujë, si shenjë falënderimi  për të gjithë humanitetin e treguar ndaj popullit të Kosovës në ditët e tij më të vështira.



Skip to toolbar