Deutsche Welle: Marrëveshja e re nuk rrëzon paktin Rama-Berisha

AKTUALITET


Marrëveshja politike, që u  arrit të martën (14.01.2020)  pritet të zhbllokojë ngërçin qeveri-opozitë në kryerjen e reformës zgjedhore dhe të krijojë premisa për daljen nga kriza politike dhe institucionale një vjeҫare, ku ka ngecuar Shqipëria. Për herë të parë në 10 vitet e fundit në këtë marrëveshje nuk përfshihen vetëm dy partite e mëdha, Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) që në rreth 3 dekada post-komuniste janë këmbyer në rotacionin e pushtetit. Marrëveshja politike e 14 janarit përfshin 4 palë: PS qeverisëse, opozitën jashtë parlamentit të përfaqësuar nga PD dhe LSI si edhe opozitën e re parlamentare.

Marrëveshja është konkretizuar në një dokument të firmosur nga përfaqësues të PS, PD dhe LSI ku palët  marrin përsipër të bashkëpunojnë, negociojnë dhe kryejnë reformën zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që reforma të diskutohet dhe vendoset jashtë parlamentit, në tryezën politike të partive dhe produkti i saj konsensual të miratohet pa ndryshime nga Parlamenti. Marrëveshja thekson se reforma zgjedhore do të përfundojë jo  më vonë se 15 marsi i këtij viti.

Për kryetarin e PD dhe opozitës jashtë parlamentare, Basha, miratimi sa më parë me konsensus i reformës “është rruga për daljen nga kriza politike,  me kusht që reforma të zbatohet për herë të pare në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë” tha ai të marten.

Marrëveshja nuk u firmos nga deputetja demokrate dhe njëherazi bashkëkryetare e Komisionit Parlamentar për Reformën zgjedhore, Rudina Hajdari, që përfaqësoi opozitën e re demokrate në tryezën e partive, ngaqë, siç u shpreh ajo para mediave “duhet ta bisedoj paraprakisht me grupin tim parlamentar pasi marrëveshja ka disa mangësi”. Në një deklaratë ekskluzive për DW, deputetja Hajdari e vlerëson marrveshjen si “fillim të dialogut me të gjitha palët politike, brenda dhe jashtë parlamentit.” Marrëveshja garanton një proces sa më transparent, sa më gjithëpërfshirës dhe me konsensus të gjerë mes palëve” tha ajo për DW.

Konsensus – fjala kyç

Konsensusi i gjerë si tipar i domosdoshëm në kryerjen e reformës zgjedhore nuk vihet tani në dukje. Bundestagu gjerman në rezolutën e tij për Shqipërinë, në shtatorin e kaluar, e vendos atë në vendin e tretë ndër 9 pika, që Shqipëria duhet të plotësojë për të dalë nga kriza dhe merituar hapjen potenciale me BE të negociatëve të pranimit, në pranverën e sivjetme. Në marrëveshjen e sapo nënshkruar theksohet, se ”palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha ҫështjet e administrimit të zgjedhjeve përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”. Nëse kjo ndodh vërtet dhe nga vullneti për konsensus i shprehur në letër kalohet në praktikë, atëhere  kjo do të shënojë fillimin e besimit të ndërsjelltë mes palëve të dëmtuar keqazi gjatë një viti konflikti të egër politik.

A përfshin marrëveshja ndryshimin e sistemit zgjedhor?

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga ai proporcional rajonal me lista të mbyllura kandidatësh për deputetë të caktuara nga kryetarët e partive në lista të hapura të propozuara nga qytetarët është kërkuar nga partitë e vogla dhe shoqëria civile si jetik për demokracinë. Dy forcat kryesore, PS dhe PD e kanë bërë të qartë që nuk synojnë ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor, të arritur nga marrëveshja Rama- Berisha në vitin 2008.

Deputetja demokrate Rudina Hajdari thotë për DW se „ ndryshimi i sistemit zgjedhor do të përfshihet patjetër në bisedimet e palëve”. „Opozita parlamentare vazhdon t’i qëndrojë propozimit për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke e parë si të vetmen mundësi për daljen nga kriza politike, si dhe për t’u dhënë mundësinë  qytetarëve të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Parlament. Ndryshimi i sistemit zgjedhor, hapja e listave, është thelbësor në reduktimin e e pushtetit absolut të kryetarëve të partive në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, pushtet ky që cënon demokracinë në cdo hallkë”, thekson ajo për DW.

Marrëveshje e përshëndetur nga faktori ndërkombëtar

SHBA në përshëndetjen e tyre përmes një deklarate zyrtare të ambasadës amerikane nëTiranë theksojnë që “reforma do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, thekson deklarata.

Ambasadori i delegacionit të BE në Shqipëro, Luigi Soreca e përshëndeti marrëveshjen politike „si një arritje të rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik në Shqipëri dhe të ardhmen europiane të qytetarëve shqiptarë”. Prania e OSBE-së në Tiranë e vlerëson marrëveshjen politike si „hapin e parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë dhe në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë”. Kurse kryeministri Rama e konsideron marrëveshjen si „ një rikthim të arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do të integrohen në Ligjin Zgjedhor”./DW



Skip to toolbar