Qeveria ka rikthyer kreditë e buta për shtëpi për gjyqtarët dhe prokurorët, që u ishte ndaluar që në vitin 2014, kur ekzekutivi anuloi vendimin e vitit 2008, për të cilin deklaroi në atë kohë se ishin bërë abuzime të mëdha. Në vendimin e miratuar në mbledhjen e së mërkurës, qeveria nuk ka futur zyrtarët e tjerë që kanë qenë në vendimin e mëparshëm, por vetëm magjistratët, duke ndryshuar dhe rregullat e marrjes së kredisë, ku vihet re se ato janë forcuar dhe më shumë.
Ky vendim pritej të miratohej që në fund të vitit 2018, por për shkak të një kostoje financiare, e cila do të përballohet nga qeveria, konkretisht interesat për kredinë që do marrin magjistratët, ajo është miratuar nga qeveria pas më shumë se një viti.
Në VKM e miratuar sot, deklarohet se interesat e kredive që përfitohen nga magjistratët financohen nga shteti. “Magjistrati ka të drejtë që të përfitojë vetëm një herë kredi hipotekore, interesat e së cilës financohen nga shteti, kur ka ushtruar detyrën për një periudhë jo më pak se tre vjet pa ndërprerje dhe ka nevojë për banim, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2, në zonën e qendrës së qytetit ku ai ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës në fjalë shtohet me 10 m katror për person”, deklarohet në vendimin e qeverisë.
Por, nëse në vendin e anuluar në vitin 2014, përfitonin këtë kredi të gjithë zyrtarët, të cilët nuk kishin banesë në vendin ku ushtronin detyrën, në vendimin e vitit 2020, do të përfitojnë kredi të butë vetëm prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët nuk disponojnë fare shtëpi banimi për strehim, ose kur disponon banesë në pronësi me sipërfaqe sa ose më të vogël se ato të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për normativat e projektimit të banesave.
Madje, në VKM janë përmendur dhe rastet abuzive. “Kur gjatë apo pas zbatimit të kredisë rezultojnë se në kërkesë janë bërë deklarime të rreme apo magjistrati nuk gëzon më statusin si magjistrat, si pasojë e shkarkimit nga detyra, kredia konvertohet drejtpërdrejt në kredi tregtare, kusht i përcaktuar edhe në kontratën e kredisë. Në këtë rast, magjistrati është i detyruar të kthejë interesin e paguar nga shteti për kredinë sipas marrëveshjes, të përcaktuar në pikën 12, të këtij vendimi”, deklarohet në vendimin e qeverisë. Po ashtu, në rastet e mosekzekutimit në mënyrë vullnetare të rimbursimit të shumës së përfituar, këshilli përkatës kërkon përmbushjen e detyrimit dhe kthimin e shumës në përputhje me legjislacionin në fuqi. Madje, kthimi mbrapsht i parave nuk është i kufizuar vetëm gjatë kohëzgjatjes së kredisë, por edhe pasi magjistrati të ketë shlyer plotësisht principalin dhe marrëdhënia e huamarrjes me bankën të ketë përfunduar.
Magjistratët përfitonin kredi të butë për shtëpinë në bazë të një vendimi të vitit 2008 të qeverisë Berisha, në të cilin përfshiheshin të gjithë zyrtarët. Me anë të atij vendimi kanë përfituar kredi mbi 150 prokurorë e gjyqtarë, por nga kontrolli i bërë nga qeveria Rama në vitin 2014 u konstatuan disa shkelje dhe për to u bë kallëzim dhe në prokurori, por që hetimet u mbyllën në heshtje. Tashmë, pas 6 vitesh, ky vendim rikthehet me rregulla me të forta dhe vetëm për prokurorë dhe gjyqtarë. Realstory.al
Kur i lind e drejta magjistratit për kredi të butë
Magjistratit i lind e drejta të përfitojë kredi për banim, sipas rregullave të këtij vendimi, në rastet kur plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet detyrën e tij;
b) Të mos ketë përfituar më parë kredi për shtëpi të financuar nga shteti, gjatë ushtrimit të funksionit të tij;
c) Të mos jetë përfituar kredia për shtëpi e subvencionuar nga shteti nga një person tjetër brenda familjes së magjistratit, i cili ka të drejtën e përfitimit të kësaj kredie;
ç) Magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç nuk ka në pronësi të tij pasuri të paluajtshme pa kolateral, për qëllime banimi ose pasuri të paluajtshme, që përdoret për veprimtari tregtare, shërbimi e prodhimi;
d) Magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç nuk kanë pasuri të mjaftueshme për të blerë një banesë në shumën e vlerës përkatëse të kredisë të financuar nga shteti, që duhet të përfitojë magjistrati, në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Dokumentet
Magjistrati, i cili gëzon të drejtën që të përfitojë kredi hipotekore, sipas këtij vendimi, duhet të paraqesë kërkesën, me shkrim, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të shoqëruar me:
a) certifikatën e lindjes dhe certifikatën familjare, në çastin e dorëzimit të kërkesës;
b) deklaratën për rrethanat, që mbështesin nevojën për strehim, sipas këtij vendimi. Për çdo deklarim, për të përfituar nga kredia lehtësuese, subjekti konfirmon vërtetësinë e tyre dhe pranon kushtin për konvertimin e drejtpërdrejtë të kredisë lehtësuese në kredi tregtare, kur vërtetohen pavërtetësi në deklarim dhe/ose rrethana të rreme. Kopje e kësaj deklarate i vihet në dispozicion edhe institucionit bankar;
c) vërtetimin nga gjykata ose prokuroria ku magjistrati ushtron detyrën;
ç) vërtetimin nga punëdhënësi mbi të ardhurat neto të çdo anëtari të familjes mbi moshën 18 vjeç;
d) vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Kadastrës se, në emër të tij dhe të çdo anëtari të familjes, nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë;
dh) kopje të deklaratës së interesave private.