Prokuroria apelon lirimin e rivalit të Lul Berishës: Dokle të rikthehet në burg

AKTUALITET


Pa kaluar 24 orë nga vendimi për lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Prokuroria e Krujës ka depozituar apelimin, duke kërkuar rikthimin në burg të Endrit Dokles. Apeli është depozituar në sekretarinë e gjykatës dhe për këtë çështje është njoftuar dhe zyra e prokurorit të përgjithshëm.

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha vendosi dje të pranonte kërkesën e ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle duke i shuar dënimin përjetë dhe dënuar përfundimisht me 25 vite, ndërsa duke qenë se ka kryer 3/4 e kësaj mase është liruar nga qelia me kusht, pas 16 viteve në qeli.


Dënimi përjetë ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja, por gjyqtarja e Krujës dje i rrëzoi të gjitha duke e liruar nga qelia. 4 vite u ulën nga amnistia që u njoh nga gjyqtarja Hoxha, ndërsa 5 vitet që mbetën nga 25, u konvertuan në shërbim prove. Ndër argumentet që kanë çuar në lirimin e Dokles, sipas gjykatës ka qenë sjellja e mirë e tij.

Kërkesa u kundërshtua nga prokuroria e Krujës duke pretenduar se nuk plotëson kushtet, ndërsa kërkuan edhe përjashtimin e gjyqtares Hoxha me argumentin se i njëjti trup gjykues ka dhënë tre vendime në favor të kërkuesit.

Gjithashtu, sipas prokurorisë së Krujës, lirimi u krye në shkelje pasi pretendojnë faktin se gjykata i ka llogaritur si ditë burgu edhe amnistinë e cila sipas ligjit nuk llogaritet. Mirëpo gjyqtarja Hoxha nuk mori parasysh kërkesat e prokurorisë duke pranuar kërkesat e avokatit.

Endrit Dokle i njohur si ish pjesëtar i bandës së Durrësit e më pas i kthyer në rivalin e Lulëzim Berishës, qëndronte pas hekurave me dënimin burg përjetë me akuzën e tre vrasjeve.




Skip to toolbar