Konsensusi për zgjedhoren nuk pengon aksionin e opozitës, Kryemadhi nuk përjashton protestat

AKTUALITET


Sipas kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, bashkëpunimi i opozitës me maxhorancën për realizimin e reformës zgjedhore nuk do të cenojë axhendën e opozitës dhe aksionin e saj që përfshin jo vetëm denoncimin e skandaleve por edhe protestat, që sipas saj janë të domosdoshme.

Ajo tha se opozita e bashkuar është në unison sa i takon këtij procesi dhe se detyrimet e opozitës kanë mbaruar me arritjen e këtij konsensusi për reformën zgjedhore duke ia kaluar topin maxhorancës pasi sipas saj, i takon maxhorancës të vijojë me plotësimin e 8 kushteve.

 “Për LSI-në dhe anëtarët gjithëpërfshirja dhe dialogu politik janë e vetmja rrugë. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm të ecim përpara me miratimin e menjëhershëm të reformës zgjedhore, një nga kushtet e para të Bundestagut dhe këshilli i ministrave të jashtëm. Për vetë LSI-në integrimi europian është gjëja themelore dhe më e rëndësishme që kanë nevojë shqiptarët.

Ne si opozitë e bashkuar jemi në unison sa i takon këtij procesi. Detyrimet e opozitës kanë mbaruar dhe tashmë janë të mazhorancës. Përgjegjësia jonë e vetme që ishte dhënia e konsensusit për reformën zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR kanë qenë të nevojshme për t’u përfshirë.

Do vazhdojmë hap pas hapi jo vetëm në realizimin e gjitha detyrimeve që kemi ne si opozitë por edhe në intensifikimin e aksionit politik, jo vetëm me denoncime por edhe me mjetet demokratike të protestës që janë të domosdoshme”, tha Kryemadhi në një konferencë për shtyp.

Lidhur me kërkesën e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit zgjedhor, Kryemadhi tha se kjo është lojë e Edi Ramës, ndërsa theksoi se LSI është e hapur për diskutime.

 “Ndryshimi i sistemit nuk është pjesë e nëntë kushteve të Bundestagut, apo i rekomandimeve të OSBE-së. Të flasësh sot për ndryshimin e sistemit është një lojë e Edi Ramës.

I vetmi instrument që e ka zvarritur këtë proces, është Partia Socialiste edhe pse Komisioni i Reformës Zgjedhore kushte përmbyllur shumë dëgjesa.

Çfarë do lloje kërkesash të ketë LSI, PD kërkon sistem maxhoritar në të gjitha zonat dhe për këtë duhet pyetur vetëm një njeri për ndryshimin e sistemit është Edi Rama. Ne nuk i kemi votat, vetëm Edi Rama i ka votat për ta ndryshuar sistemin.

Ndryshimi i sistemit nuk është më në dorën e opozitës, por në dorën e Edi Ramës, edhe po të duam ne ndryshimin e sistemit, vendos veton Edi Rama.

Unë jam shumë e kënaqur të kem lista të hapura, sepse nuk do kem qejf mbetje mes anëtarëve për vendosjen në listë”, tha Kryemadhi.



Skip to toolbar