“U dënua për armë”, PD: Shkarkim Agron Malajt. A e ndalon dekriminalizimi?

AKTUALITET


Partia Demokratike ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që t’i hiqet mandati Kryetarit të Bashkisë së Matit, Agron Malaj, pasi rezulton se është dënuar në vitin 1999 për armëmbajtje pa leje dhe plagosje,  dhe sipas opozitës kjo bie në kundërshtim me ligjin e miratuar “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Sipas PD, vepra penale e kryer nga Malaj e ndalon me ligj atë që të zgjidhet kryetar bashkie. Megjithatë, duke qenë se ai është dënuar në vitin 1999 dhe ligji është miratuar në vitin 2015, interpretimi i këtij rasti mund të kërkojë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Denoncimi për rastin është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, i cili deklaron se Malaj ka deklaruar në formularin e tij të vetëdeklarimit, në bazë të ligjit të dekriminalizimit, se ai është dënuar në vitin 1999 për “armëmbajtje pa leje”. Por sipas Bardhit, duke cituar ligjin e vitit 2016, Agron Malaj ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015. Vepra penale e kryer prej tij parashikohet në këtë ligj si kusht për të mos kandiduar dhe ky ligj ka hyrë në fuqi para se ai të kandidojë për këtë funksion publik.


Megjithatë, kjo vepër penale mbetet për t’u interpretuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi neni konkret për të cilin është dënuar Malaj në vitin 1999 nuk është përfshirë në ligj, por është përfshirë vepra penale “armëmbajtje pa leje”. Për këtë PD pretendon se objekti i veprës penale mbetet, megjithëse Kodi Penal ka pësuar ndryshime ndër vite. Nga ana tjetër, Malaj ka deklaruar dënimin e tij pranë KQZ dhe në bazë të ligjit, KQZ ka dërguar për verifikim pranë sektorit të dekriminalizimit emrat e të dënuarve që kandidonin për kryetar bashkie për të kuptuar nëse ata janë në kushtet e lejimit të kandidimit. Tashmë, kjo mbetet për t’u verifikuar nga prokuroria, por që për një interpretim të saktë dhe për të marrë një vendim të formës së prerë nëse Malaj ndodhet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit apo jo, mund të duhet interpretim më i gjerë nga Gjykata Kushtetuese, pasi siç dihet Malaj nuk është kryebashkiaku i vetëm i dënuar në të shkuarën. Realstory.al




Skip to toolbar