Arrestimi i vëllait të shefit të rrugores në Dibër, PD: Provë si u vodhën votat

POLITIKË


Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas arrestimit të Pajtim Agës për trafik droge, që është vëllai i Robert Agës, shef i qarkullimit në Dibër, që doli edhe në përgjimet e BILD-it, ndërsa sot është shkarkuar nga posti pas ngjarjes. Alibeaj akuzoi se i arrestuari është recitivist për trafik droge dhe vëllai i tij shef policie në Dibër janë ekzekutues të realizimit të planit për vjedhjen e zgjedhjeve, për të cilin interesohej vetë Edi Rama.

“Pajtim Aga, i arrestuari për trafik droge është vëllai i Robert Agës, drejtorit famëkeq të policisë së Dibrës në vitin 2016, i cili del në përgjimet e publikuara nga BILD si ‘ushtari i bindur’ i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. I arrestuari recitivist për trafik droge dhe vëllai i tij shef policie në Dibër janë ekzekutues të realizimit të planit për vjedhjen e zgjedhjeve, për të cilin interesohej vetë Babloku Edi Rama. Mjafton që SPAK- u të ketë vullnet për të çuar para drejtësisë që nga trafikantët e rëndomtë të drogës që kanë vjedhur zgjedhjet, si Robert dhe Pajtim Aga, deri tek porositësit e masakrës së zgjedhjeve në Dibër Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri. Nuk ka provë më të qartë, e më të freskët se kjo ngjarje për t’i kujtuar kujtdo brenda vendit e deri në Bruksel, Berlin e Paris, se plani i vetëm i Edi Ramës për zgjedhjet në Shqipëri është bashkëpunimi gjithnjë e më i fortë, gjithnjë e më i qëndrueshëm, me bandat e krimit dhe bosët e trafikut të drogës”, tha ai. Shefi i Policisë së Qarkullimit Rrugor në Dibër, Robert Aga (në 2016 ishte drejtor policie në Dibër) është shkarkuar nga detyra mbrëmjen e djeshme, pasi vëllai i tij Pajtim Aga u arrestua për trafik droge.



Skip to toolbar