Meta dekoron izraelitët, por mërzit tifozët e Celtic

POLITIKË


Kreu i shtetit, Ilir Meta ka udhëtuar deri në Izrael për të vlerësuar Njësinë izraelite të Shpëtimit Kombëtar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për ndihmën që ata ofruan pas tërmetit të 26 nëntorit, si në operacionit e kërkim shpëtimit, ashtu dhe me ekspertizën e tyre për pallatet e dëmtuara. Por, ai ka bërë një “gafë diplomatike” me klubin sportiv të Celtic që ai shprehet se është tifoz i zjarrtë.

Gjatë vizitës zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës Ilir Meta, vizitoi bazën ushtarake të Ramlës, pjesë e Forcave izraelite të Mbrojtjes. I shoqëruar nga komandanti i bazës, Gjeneral-Major Tamir Yadai si dhe nga Koloneli Golan Vach, Presidenti Meta u takua me personelin ushtarak, një pjesë e të cilit dha kontribut të veçantë për tejkalimin e pasojave të rënda që la pas tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019.

Ndërsa në mbrëmje, ai bëri një postim në Twitter, ku shprehej se “sot pashë ndeshjen me emocione nga Jeruzalemi, ku unë ndodhem me një vizitë zyrtare. 3 golat e Celtic ishin të mrekullueshëm, ne dominuam ndeshjen dhe mbështetja e fansave në stadium ishte fantastike”, shprehet Meta, duke përmendur dhe përshëndetjen tipike të Celtic, “Hail, Hail”.

Por këto fjalë kanë mërzitur ndjeshëm tifozët e Celtic, të cilët kanë shpërthyer ndaj Presidentit Meta, pasi ata janë mbështetës të zjarrtë të Palestinës, ku disa prej tyre e kanë cilësuar si tifoz të ri të Celtic që nuk njeh historinë e tyre, ndërsa të tjerë kanë postuar në faqen e kreut të shtetit shqiptar foto të flamurit palestinez. “Shpresojmë se do pyesni izraelitët për krimet e luftës”, shkruan një tjetër tifoz i Celtic.



Skip to toolbar