SPAK nis hetimin për Allën, por a do ketë përfundim?

AKTUALITET


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, pas publikimit të videos, ku shfaqej duke konsumuar kokainë. Mediat vizive raportojnë se hetimi nga ka nisur kryesisht nga prokuroria e posaçme pas publikimit të videos, ku mendohet se personi, i cili shfaqet në video është Kryetari i Bashkisë Bulqizë.

Sipas të dhënave, SPAK ka regjistruar procedim penal, por nuk është sqaruar se për çfarë vepre penale. E drejta e regjistrimit penal të një vepre penale të tillë vjen pikërisht nga ligji për funksionimin e prokurorisë speciale, e cila ka të drejtë të hetojë çdo zyrtar për çdo vepër penale.

Vepra penale për të cilën mund të ketë një akuzë konkrete është “prodhimi, mbajtja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike”, duke marrë shkas nga publikimi i videos, ku pretendohet se personi i shfaqur në video po konsumon lëndë narkotike të llojit kokainë. Dhe kjo vepër penale do të hetohet fillimisht në formën” e mbajtjes së lëndës narkotike, pasi personi, as nuk e shpërndan dhe as nuk e prodhon, megjithëse hetimi mund të nxjerrë fakte të reja.

Por pyetja që shqetëson është a do të ketë përfundim një hetim i tillë, duke pasur parasysh shumë pikëpyetje mbi këtë çështje. Burime nga prokuroria thonë për Realstory.al se fillimisht, SPAK duhet të vërtetojë origjinalitetin e videos. Për këtë arsye, do të sekuestrohet video e transmetuar nga gazetari Artan Hoxha, nëse ajo është origjinale dhe nëse ajo është e kopjuar, atëherë do të kërkohet serveri i videos origjinale. Nëse video origjinale nuk gjendet, atëherë këtu mbyllet hetimi, pasi nuk mund të ngrihet akuzë mbi një video që nuk është origjinale, duke pasur këtu parasysh vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë për regjistrimet audio dhe video. Në momentin që të gjendet video origjinale duhet identifikuar personi që ndodhet në atë video, i cili pretendohet se është Lefter Alla. Kreu i Bashkisë Bulqizë deri tani e ka mohuar se është ai personi që shfaqet në video. Kështu, prokurorisë do i duhet të bëjë një tjetër ekspertim për të vërtetuar se është Lefter Alla në atë video.

Ndërkohë, edhe nëse vërtetohet se ai është në video, ai mund të mohojë se ajo që ndodhet në pjatë është lëndë narkotike, e për më tepër kokainë. Pra duhet të vërtetohet dhe fakti se ajo që ai ka në pjatë është kokainë, veprim i cili duket i pamundur, pasi pavarësisht se nga veprimet ngjan me pirjen e kokainës, sot që nis hetimi mungon prova, pra lënda narkotike. Është njësoj që të akuzosh dikë për vrasje pa pasur armën e krimit. Ashtu mund të akuzohet dhe Kreu i Bashkisë Bulqizë. Po ashtu dhe nëse vërtetohet, ndoshta me dëshmitarë se ajo në pjatë është lëndë narkotike, duhet të vërtetohet nëse Lefter Alla e ka mbajtur vetë lëndën narkotike, apo vetëm e ka konsumuar, pasi nuk ka ligj që të dënon për përdorim të lëndëve narkotike, por për mbajtje dhe shpërndarje të saj. Në këto kushte, ka shumë gjasa që ky hetim, veçse do të zbardhë një të vërtetë, e cila nesër mund të përdoret për një gjyq civil, nuk mund të sjellë pasoja penale. Ky është rasti i dytë që regjistrohet nga SPAK, veç dosjeve të deleguara nga Krimet e Rënda, pas rastit të koncesionit të sterilizimit. Realstory.al



Skip to toolbar