Situata e krijuar me shkarkimet pas lejimit të Dritan Dajtit të kryejë vizitë në një klinikë private okulistike në Bllok, por dhe shkarkimet në Krujë pas lirimit të Indrit Dokles kanë bërë që opozita parlamentare të kërkojë interpelancë me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Shtatë deputetë të opozitës së re, kërkojnë me anë të një interpelance urgjente llogari nga ministrja Etilda Gjonaj për situatën e krijuar së fundmi me të burgosurit, transferimet e tyre si dhe masat që kanë çuar në shkarkimin e disa zyrtarëve në burgje. Sipas kërkesës së depozituar në Kuvend, deputetët kanë parashtruar 6 pika, duke filluar nga situata e rënduar në burgje lidhur me administratën dhe të burgosurit; shkeljet e bëra gjatë emërimeve, lirimeve dhe transferimeve të drejtuesve të IEVP-ve, drejtuesve në DPB dhe vartësve dhe mosrespektimi i të drejtave të të burgosurve gjatë lejeve dhe transferimit të tyre. Po ashtu, deputetët kërkojnë sqarime për shkarkimin e drejtorit të policisë së burgjeve dhe drejtorit të IEVP-së Peqin. Firmëtarë janë shtatë deputetët Lefter Maliqi, Suzana Topi, Artur Roshi, Besnik Troplini, Ramadan Gjuzi, Koçi Tahiri dhe Andi Përmeti.
Kryesuesi i interpelancës do të jetë ish-vartësi i Gjonajt, Lefter Maliqi i cili për disa kohë mbajti dhe postin e zëvendësdrejtorit të burgjeve para se të merrte mandatin e deputetit.