Tragjike në Berat, dy foshnje ndërrojnë jetë, prindërit: U helmuan nga qumështi

AKTUALITET


Dy foshnje binjakë, vetëm 5-muajshe, kanë ndërruar jetë në kushte misterioze, duke shkaktuar tragjedi në familjen Agalliu në Berat, ndërkohë që prindërit kanë ngritur dyshimet se janë helmuar nga qumështi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës, kur dy djemtë e vegjël kanë mbërritur të pajetë në Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal në Berat. Foshnjat me mbiemrin Agalliu janë dërguar në Morgun e spitalit, ku i janë nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.

Nga autopsia paraprake nuk ka rezultuar të ketë pasur shenja helmimi në trupin e fëmijëve edhe pse prindërit kanë pasur dyshime se fëmijët mund të jenë helmuar nga qumështi me kuti, me të cilin nëna i ushqente që nga dita e lindjes.

Mjekët e morgut të Beratit konfirmojnë se në trupin e dy foshnjave nuk ka pasur as shenja dhune. Ata dyshojnë se fëmijët mund të kenë gjetur vdekjen si pasojë e mungesës së ajrit në dhomë, ndërkohë që kanë dërguar për ekzaminim në Tiranë analizat dhe janë në pritje të përgjigjes së tyre për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6 vjeçe dhe vëllain 5 vjeç në një banesë dykatëshe në periferi të qytetit, në lagjen “Uznovë”. Kunata e Merushes, Natasha ka treguar për mediat se fëmijët ishin në gjendje të mirë shëndetësore në mëngjes dhe duke qenë se ishte ftohtë, e ëma i kishte zbritur në katin e parë ku ishte ndezur soba me dru.

Gjysmë ore më vonë ajo i kishte kërkuar kunatës të vinte të merrte fëmijët se do dilte, por në atë moment kanë vënë re që fëmijët nuk reagonin. Ajo pohon se i kanë dërguar menjëherë në spital, por fëmijët kishin ndërruar jetë. Natasha shprehet se fëmijët nuk ishin të sëmurë asnjëri prej tyre nuk kishte shfaqur shenja virozash apo temperaturë dhe askush nuk e kuptoi dot shkakun se përse vdiqën papritur foshnjat.

Tashmë, pritet ekspertiza e mjekëve ligjorë në Tiranë për të kuptuar nga se është shkaktuar vdekja e tyre, duke sjellë një tragjedi për familjen Agalliu, ku dyshimet kryesore lidhen me një mbytje të mundshme të tyre gjatë qëndrimit vetëm në dhomë, ose nga mungesa e ajrit për shkak të sobës së zjarrit, megjithëse nuk përjashtohen dhe pretendimet e ngritura nga prindërit për helmim.



Skip to toolbar