Trajenri rrezikonte shkarkimin pas humbjes së thellë 5-0 ndaj Laçit
Humbja 5-0 në transfertën e Laçit, e rrezikoi jo pak pozitën e Bledi Shkëmbit në krye të Teutës. Ndonëse nuk pati lëvizje të menjëhershme, u la të kuptohet se pas ndeshjes diçka do të ndryshonte në drejtimin e skuadrës.
Trajneri korçar që drejton Teutën që prej nisjes së sezonit, e pranoi pas takimit se ai dhe skuadra po gabojnë dhe duhet të ndryshojnë. Ndërkohë që drejtuesit e klubit i kanë bërë llogaritë me qetësi, për të mos marrë një vendim që mund të rezultonte i gabuar.
24 orë pas disfatës, klubi bregdetar ka vendosur që të vijojë bashkëpunimin me trajnerin Bledi Shkëmbi. Ky është lajmi që është konfirmuar nga Teuta me anë të një komunikate në faqen zyrtare në Facebook.
“Trajneri Bledi Shkëmbi gëzon besimin e plotë të drejtuesve. Kështu që nga nesër ai do të vijojë punën normalisht, ku skuadra do të nisë pergatitjet në kuadër të përballjes me Flamurtarin në ‘Vlorë’, një sfidë direkte për luftën për Europë. Misioni i Shkëmbit për ta çuar Teutën në Europë vazhdon”, shkruhet në njoftimin e klubit.