Teuta e mbyll me nder vitin, Flamurtari drejt greminës

Ndeshja e ndërprerë të dielën për shkak të shiut mes Flamurtarit dhe Teutës është luajtur të hënën. Skuadra durrsake doli me tre pikë nga fusha vlonjate, duke e mbyllur vitin me sukses, ndërsa Flamurtari me bilanc negativ.

Të besuarit e trajnerit Edi Martini fituan bindshëm me rezultatin 1-3. Skuadra e Teutës kaloi në avantazh me Emiljano Vilën në të 33`, ndërsa në të 47` Vila dyfishoi rezultatin për Teutën. Sherif Kallaku tregoishoi në të 65` me një gol të bukur nga jashtë zone duke siguruar fitoren për skuadrën e Teutës.

Megjithatë, Flamurtari shënoi golin e nderit me anë të Ribaj në të 89`, por pa mundur të ndryshojë fatet e ndeshjes. Teuta shkon 28 pikë dhe mban vendin e pestë në renditje, duke u barazuar me pikë me Tiranën dhe Partizanin.

Ndërsa Flamurtari ndodhet në vendin e fundit në renditje me 6 pikë duke shuar pothuajse të gjitha shpresat për mbijetesë në Superligë.

“Skuqet” ndeshja, sherr mes lojtarëve në Teuta-Partizani (video)

Aktet e shëmtuara të dhunës janë regjistruar përsëri në futbollin shqiptar. Ndryshe nga më parë, këtë herë dhuna ndodhi mes futbollistëve që luajnë në nivele të larta në Superligë. Konkretisht, në sfidën mes Teutës dhe Partizanit, e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë Superiore, u regjistruar dhe një përplasje mes dy futbollistëve.

Në minutën e 62` të sfidës, kur Teuta ishte duke fituar me rezultatin 1-0, dy lojtarë kundërshtarë, Beqja dhe Melo u përplasën mes tyre. Të dy lojtarët nisën një sherr në fushën e lojës, teksa më pas ndërhynë edhe lojtarët e stolit.

Për të qetësuar lojtarët u futën në fushë edhe stafet e të dyja skuadrave, ndërsa arbitri Ferhati i ndëshkoi të dy lojtarët me karton të kuq. Gjithashtu, me karton të kuq u ndëshkuan dhe dy futbollistë nga stoli, Boldor i Partizanit dhe Duka i Teutës.

Kujtojmë se të dyja skuadrat vinin në këtë përballje pak ditë pasi drejtuesit respektiv shkarkuan trajnerët. Ndërsa Teuta emëroi me urgjencë trajnerin Edi Martini, skuadra e Partizani drejtohet provizorisht nga Reindaldo Kalari.

U mund nga Kukësi, Teuta shkarkon Bledi Shkëmbin

Vetëm pak minuta pas njoftimit të Partizanit për shkarkimin e trajnerit Franko Lerda, edhe ekipi i Teutës bëri të njëjtën gjë. Skuadra durrsake shkarkoi trajnerin Bledi Shkëmbi pas humbjes së thellë 4-0 me Kukësin në kampionat. Në një njoftim zyrtar të klubit mësohet se trajneri se Shkëmbi dhe Teuta kanë ndërprerë bashkëpunimin.

“Zyrtare: Bledi Shkëmbi nuk do të jetë më trajner i Teutës. Klubi i futbollit Teuta njofton se ka shkëputur marrëveshjen me tranjerin Bledi Shkëmbi. Falenderojmë tranjerin në fjalë për kontributin e dhënë gjatë kohës që ishte pjesë e jona. Ne i urojmë Shkëmbit suksese në jetë dhe në karrierë”, thuhet në njoftim.

Bledi Shkëmbi e mori drejtimin e skuadrës së Teutës gjatë sezonit 2018-2019, duke arritur të dërgojë ekipin durrsak në Europa League. Megjithatë, pas arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit edhe për këtë sezon, skuadra e Teutës nuk bëri paraqitjet e një sezoni më parë.

Të shtunën, në përballjen ne Kukësin, skuadra e Teutës u mund me rezultatin e thellë 4-0, duke konfirmuar krizën e rezultateve. Kjo solli edhe largimin e trajnerit Shkëmbi, në të njëjtën ditë me largimin e trajnerit të Partizanit, Franko Lerda.  

Kukësi shkatërron Teutën dhe merr kreun. Vllaznia mposht Skënderbeun

Kukësi mundi me shifrat 4-0 Teutën dhe mori kryesimin e kampionatit, të paktën deri javën e ardhshme. Skuadra verilindore e drejtuar nga Shpëtim Duro bëri një paraqitje të mirë në sfidën e luajtur ndaj skuadrës së Bledi Shkëmbit.

Në fakt, ishin “djemtë e detit” ata që gabuan pasi shkaktuan tre penallti të cilat u shënuan të gjitha nga lojtarët e skuadrës së Kukësit. Goli i parë erdhi në minutën e 31` nga Shkurtaj, që gjeti rrjetën nga pika e bardhë e penalltisë.

Edhe goli i dytë u shënua nga Shkurtaj në të 67` po nga penalltia. Abazaj trefishoi rezultatin në të 73`, ndërsa Ethemi gjeti rrjetën nga penalltia në minutën e tretë shtesë në fund të ndeshjes.

Me fitoren 4-0, Kukësi shkon 27 pikë dhe merr vendin e parë të renditjes duke lënë pas Laçin dhe Partizanin me nga 25 pikë. Fitoi edhe Vllaznia që mundi Skënderbeun me gol të Shtubinës në të 65`, duke marrë tre pikë të rëndësishme që e ngjisin në vendin e 5 me 23 pikë.

Teuta mund Skënderbeun, rikthen normalitetin në Durrës

Pasditen e të dielës në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, u luajt ndeshja midis Teutës dhe Skënderbeut. Ndeshja u luajt në një ambient solidar dhe miqësor, e cila u reflektua edhe në fushën e lojës. Takimi sportiv është nga aktivitetet e para që zhvillohet në qytet pas tragjedisë së rëndë të 26 nëntorit, që shkaktoi 24 viktima vetëm në qytetin e Durrësit.

Teuta ishte ekipi më i tronditur nga tërmeti i 26 nëntorit, por të dielën pasdite lojtarët gjetën forcën për të rikthyer atmosferën e normalitetit në qytet. Me ndihmën e tifozëve, skuadra durrsake fitoi minimalisht 1-0 ndaj Skënderbeut, me golin e shënuar nga Lorenco Vila në fund të kohës së rregullt të lojës.

Ndërkohë, gjatë ndeshjes të dyja ekipet u shfaqën të kujdesshme, ndërsa rastet nuk munguan. Teuta pretendoi dhe një penallti gjatë pjesës së dytë, por arbitri nuk e vlerësoi si të tillë. Ndërkohë, tifozët ultras të Teutës, “Djemtë e Dedit”, bën një dedikim prekës gjatë ndeshjes.

 Në një banderolë ata shkruan “Prehuni në paqe”, ndërsa në qendër të saj kishin vendosur numrin ‘51’ që simbolizon viktimat e tërmetit të 26 nëntorit. Pas fitores të së dileës, Teuta ngjitet në vendin e pestë me 22 pikë, ndërsa Skënderbeu me 20 pikë ndodhet në vendin e shtatë.

Tifozët kujtojnë viktimat e tërmetit në ndeshjen Teuta-Skënderbeu

Pasditen e të dielës u luajt në Durrës ndeshja e kampionatit mes Teutës dhe Skënderbeut. Në qytetin e prekur më shumë nga tërmeti, jeta duket se po rikthehet në normalitet, pavarësisht dramës që përjetoi.

 Në stadiumin “Niko Dovana” nuk munguan as tifozët e skuadrës durrsake. Koreografia në këtë ndeshje i dedikohej viktimave të tërmetit të 26 nëntorit.

Tifozët kishin përgatitur një banderol, ku shkruhej numri “51”, që tregon numrin e viktimave nga tërmeti, i vendosur mes dy krahëve të ëngjëjve.

Ndërkohë mesazhi i tifozëve ishte: “Prehuni në paqe”. Gjithashtu tifozët ngritën në qiell edhe 51 balona në kujtim të viktimave.

Vllaznia e Teuta barazojnë. Sfidën e fiton “terri”

Një ndeshje që nisi tre herë, përfundoi pa fitues në Shkodër. Vllaznia dhe Teuta barazuan pa gola, në takimin e së dielës në mbrëmje, ku më shumë se sa ndeshja dhe rezultati, lajmin e bëri shkëputja e energjisë dy herë.

Ndeshja nisi sipas protokollit, në orën 16:30, por pas 16` lojë në stadium u ndërpre energjia elektrike. Kjo bëri që sfida të ndalej për disa minuta, deri në ndezje e gjeneratorit. Më pas ndeshja nisi përsëri, por nuk zgjati as pesë minuta, pasi “Loro Boriçi” u zhyt në terr total.

Kjo irritoi tifozët, ndërsa lojtarët u detyruan të prisnin deri në rregullimin e avarisë në stadium për të rinisur lojën. Dhe kështu, disa minuta nga ndërprerja e dytë e lojës, ndeshja nisi për të vazhduar normalisht. Megjithatë, ndoshta edhe për shkak të ndërprerjes dy herë të ndeshjes, ritmi i lojës në pjesën e parë nuk ishte i kënaqshëm, me të dyja skuadrat që rrezikuan pak në portat kundërshtare.

Në pjesën e dytë loja është me ritme më të mira, por asnjë nga ekipet nuk arrin të tund rrjetën. Kështu, skuadrat ndajnë nga një pikë, me Vllazninë që mbetet në vendin e tetë me 17 pikë, ndërsa Teuta me dy pikë më shumë, ndodhet në vendin e shtatë në renditje. Të hënë do të luhet sfida e fundit e Superligës për këtë javë ajo mes Partizanit dhe Laçit.

Teuta barazon në fund, Lika i heq Tiranës fitoren nga duart

Ndeshja Teuta-Tirana përfundoi me barazimin 1-1 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Ekipi bardheblu dominoi gjatë 90 minutave, por në fund u tradhtua nga një gabim i portierit Ilion Lika që i kushtoi 2 pikë skuadrës.

Bardheblutë kaluan në avantazh që në minutën e 19′ me një gol nga Ngoo duke e mbyllur pjesën e parë me 0-1. Por Teuta shënoi përmes Hoxhës në minuetin e 91’ duke mbyllur ndeshjen me barazim.

Ndeshja që pritej të mbyllej me 3 pikë për Tiranën, në fakt u mbyll me barazim dhe me vetëm 9 lojtarë për bardheblutë, pas dy kartonëve të verdhë për Hoxhallarin dhe një kartoni të kuq për Torasën. Në fund, ekipet ndanë nga një pikë, ndërkohë që Tirana ka 18 pikë dhe ndodhet në vendin e parë. Në kuotën e 17 pikëve Teuta mban vendin e katërt.

Teuta fiton “derbin e bregdetit” ndaj Flamurtarit

Teuta bën një tjetër hap të rëndësishëm në Superligë. Skuadra durrsake fitoi minimalisht 1-0 ndaj Flamurtarit dhe shkon në kuotën e 15 pikëve, duke mbajtur e vetme kreun e renditjes në Kategorinë Superiore. Pas dy javësh pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, kampionati nisi me sfidën e javës së tetë ndaj Teutës dhe Flamurtarit.

Vendasit kërkuan golin që në fillim të ndeshjes, por skuadra vlonjate rezistoi duke mos lejuar kundërshtarët të shënojnë. Megjithatë, me nisjen e pjesës së dytë, Teuta gjen shpejt golin. Kallaku shënon në të 47` duke vulsour fitoren e skuadrës së Bledi Shkëmbit, që tashmë konfirmohet se do të rivalizojë deri në fund për titullin kampion.

Flamurtari mbetet në vendin e fundit të renditjes me 2 pikë, duke vështirësuar pozititat në luftën për mbijetesë këtë sezon. Të shtunën do të luhen katër takimet e radhës të javës së tetë të kampionatit. Luftëtari do të përballet në shtëpi me Bylis. Tirana pret në “Selman Stërmasi” Laçin, Skënderbeu pret Kukësin ndërsa Vllaznia do të përballet me Partizanin në “Loro Boriçi”.

Traversa ndal Tiranën, shpëton Teutën, vendos paqe në “Selman Stërmasi”

Vrullin e javës së parë të kampionatit, ku fituan duke marrë tre pikë, Tirana dhe Teuta  e kanë ndaluar në ndeshjen e javës së dytë. Takimi hapës i kësaj jave ka përfunduar në barazim pa gola në “Selman Stërmasi”, por rastet nuk munguan. Ndeshja nisi me ritëm të lartë. Bardheblutë janë më këmbngulës në aksionet e tyre, duke rrezikuar më shumë portën e kundërshtarëve.

Por përpjekjet e Halilit, Hasanit dhe Ngoo, do ndaleshin nga mbrojtja, portieri dhe traversat kundërshtare. Në pjesën parë episodi më i rëndësishëm ishte ai i ‘prozhektorëve’, të cilët u fikën pas një defekti në minutën e 20-të lojës, riparimi i të cilit zgjati të paktën 40 minuta, duke bërë që ndeshja të ndërpritet.

Pas këtij momenti, Tirana rikthet përsëri agresive duke tentuar portën, dhe rasti ideal është në minutën e 23 të takimit. Një gjuajtje dënimi e ekzekutuara nga Hoxhallari, bën që topi të shkojë në kufijtë e zonës fatale, por sfera nuk kalon brena rrjetës pasi largon Frashëri. Megjithatë, pas këtij rasti është Teuta që kërkon golin, por tentativat e saj gjejnë përgjigjen e mbrojtjes vendase.

Në pjesën e dytë të lojës, Tirana mund të kishte shënuar dy herë, nëse gjuajtjet e Ngoo dhe Hasanit nuk do të kishin përfunduar në tranversë. Megjithë përpjekjet e mëdha, deri në fund të takimit rrjetat e të dy ekipeve mbetën të paprekura. Pas ndeshjes së dytë, Tirana vijon të mbajë vendin e parë në renditje, në pritje të takimeve të radhës të Superligës që do të luhen të mërkurën.

Skip to toolbar