Ndonëse presidenti Ilir Meta u dakordësua me maxhorancën në lidhje me Kodin Penal, ku dekretoi disa ndryshime, kujtojmë se Partia Socialiste ka nisur një betejë për shkarkimin e tij nga detyra.
Por a do t’i qëndrojë PS kësaj kërkese? Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla përballë gazetarit Sokol Balla deklaroi se për shkak të situatës me koronavirusin punimet e Komisionit Hetimor janë ndërprerë, duke shtyrë mandatin e tij, ndërsa përgjigja do të vijë pasi të publikohen edhe dy raportet e Komisionit të Venecias.
“Kryeministri është kryetari i ekzekutivit dhe ne e kemi dhënë përgjigjen për komisionin. Situata me koronavirusin bëri që të zgjasin mandatin deri në fund të këtij sesioni. Në 21-22 qershor do të jepet dhe verdikti final i komisionit të Venecias. Nëse keni harruar, më lejoni që t’ju Rikujtojë që presidenti i Republikës është në hetim parlamentar për dy veprimtari, për marrëdhënien e tij me dekretet për zgjedhjet e 30 qershorit dhe me shkeljet kushtetuese për emërimin e një anëtari në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është çështje e Komisioni Hetimor të vijojë punën. Pasi të ketë marrë raportin e Venecias. Presidenti i Republikës është në hetim parlamentar për dy blloqe të rëndësishme që kanë të bëjnë me kontradikta në veprimtarinë e tij me kushtetutën. I kushtëzuar nga raporti i Venecias? Padyshim. Janë dy opinione të Venecias, njëri për zgjedhjet e 30 qershorit dhe kemi një çështje tjetër që lidhet me emërimin e një anëtare të gjykatën Kushtetuese. Të presim Venecian. Nga ana e shumicës parlamentare të qartësohemi i dhe në fund të fundit një komision hetimor parlamentar ka detyrimin të dalë me një raport përfundimtar.”, tha Balla.
