Mëngjesin e 8 tetorit policia kufitare e Githios ka pikasur një gomone me tre persona ekuipazh që po lëvizte me shpejtësi të madhe në zonën detare. U tentua të ndalohej gomonia por drejtuesi shtoi shpejtësinë dhe arriti të largohej. Të gjitha shërbimet policore u vunë në ndjekje të mjetit lundrues por nuk arritën ta kapnin. Mbrëmjen e asaj dite mjeti lundrues u zbulua gjysmë i mbytur afër një plazhi dhe në një zonë shkëmbore pranë tij u zbuluan dhe sekuestruan 20 çanta me rreth 1.2 ton marijuanë.
Policia kreu kontrolle në Manin lindor dhe brenda një magazine në Marmari arrestoi një shtetas shqiptar. Ai rezultoi një nga tre drejtuesit e gomones. Në të njëjtën ditë u ndalua në zonë një shqiptar tjetër që lëvizte me automjet në kërkim të skafistit të fshehur. Më pas u arrestuan edhe dy shtetas të tjerë, bashkëpunëtorë në ngjarje, të cilët lëviznin në një zonë rurale në Lakonia.
Policia greke në deklaratë zyrtare tha se brenda gomones u gjetën 8 bidona me benzinë ndërsa gjatë kontrolleve në një zonë shkëmbore u gjetën 20 çanta dhe 8 pako të mëdha që përmbanin 596 pako më të vogla me 810 kg 350 gram marijuanë të përpunuar si dhe 32 pako me 374 kg 960 gram marijuanë të papërpunuar. Sasia e drogës së sekuestruar përllogaritet në rreth 6.750.000 euro.
Ndërkaq në datë 11 tetor është arritur të arrestohet i fshehur në një magazinë farmaceutike një nga tre skafistët. Në të njëjtën ditë është arrestuar një shtetas tjetër që ishte nisur nga Athina për të marrë skafistin. Në orët e para të datës 13 tetor u arrestuan dy shtetas të tjerë shqiptarë në një rrugë rurale në Lakonia.