A do të shohin drejtësi sa janë gjallë prindërit e Aleks Nikës? Kreu i SPAK pyetet në komision për 21 janarin

AKTUALITET


Kreu i SPAK, Klodian Braho, nuk komentoi ecurinë e hetimeve për ngjarjet e 21 Janarit, duke theksuar se dosja vijon të jetë në hetim dhe se çdo pretendim duhet t’i drejtohet organeve kompetente.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, deputeti socialist Pacaj ngriti shqetësimin për vonesat në zbardhjen e vrasjes së katër protestuesve në 21 Janar 2011, duke kujtuar se kanë kaluar 16 vite pa u vënë drejtësia në vend. Ai kërkoi gjithashtu që të shmangej nga hetimi prokurori i çështjes për shkak të konfliktit të interesit.

“Jemi 16 vjet pas vrasjes së 21 janarit, ku 4 protestues u vranë në mes të Tiranës. Ngjarja nuk po zbardhet. Autorët dhe ekzekutuesit po sfidojnë si drejtësinë e re ashtu edhe të vjetër. Gjykata e Strasburgut i cilësoi këtë çështje si vrasje shtetërore. E mbështetur edhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së lartë që u shprehën me detyra të qarta sesi SPAK duhet ta ndjekë këtë hetim. Unë si përfaqësues i qarkut Lezhë dhe ndjeshmërisë se i ndjeri Aleks Nika ka qenë edhe miku im dua të përcjell atë që familjarët e shohin si shqetësim. Prokurori që ka në dorë çështjen është i njëjti që ka kundërshtuar në kolegjin penal që këtë çështje duhet ta gjykojë SPAK dhe kjo është në konflikt interesi dhe të shmanget prokurori që është njohës i mirë i çështjes e ka përfaqësuar këtë dhe e ka cilësuar si vrasje me dashje, zoti Dumani. Ndërkohë që gruaja e fëmijët presim kam një pyetje:  A do të kemi drejtësi për 21 janarin, që të paktën prindërit e Aleks Nikës të shohin drejtësi për djalin e vet sa janë gjallë?”, tha Pacaj.

Në përgjigje, Braho deklaroi se nuk mund të japë komente për një çështje konkrete në hetim.

“Pyetja juaj lidhet me një çështje të ndjeshme, konkrete, me pretendime. Ajo që mund të themi është që çështja është në hetim, dhe hetimet vazhdojnë. Nuk kam koment tjetër për këtë çështje. E kuptoj ndjeshmërinë e rastit, po nuk e zgjidhim dot në këtë seancë këtë çështje e këto pretendime. Nëse palët kanë pretendime ti drejtohen organeve kompetente SPAK dhe të marrin përgjigje siç e përcakton kodi i procedurës penale”, u shpreh ai.



Skip to toolbar