Shqipëria është një vend i çuditshëm. Deri para dy orësh lajmi më i madh ishte lidhja live e Erdogan në një ceremoni qeveritare për fillimin e ndërtimit të disa pallateve në Lac, me paratë e qeverisë turke dhe premtimi sulltanor i Edi Ramës, për ta kthyer Laçin, një qytezë komuniste industriale, në një pikë të re turistike. Por rreth orës 18, një tweeter i ambasadores amerikane njoftoi thuajse para Ilir Metës, se Presidenti i Republikës dekretoi anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Yuri Kim e quajti një lajm të madh, dhe e pasuan dhe ambasadorët e tjerë, pasi kështu plotësohej një nga kushtet më të rëndësishme të procesit të ngrirë të integrimit. Por sigurisht që ngjarja shkon shumë më larg se kaq, nisur nga forma e re e Gjykatës dhe nga paditë që ajo duhet të shqyrtojë.
Zëra nga opozita po ngrenë që sonte dyshimet nëse kjo Gjykatë ka apo jo vërtet kuorumin e duhur për të shqyrtuar këtë çështje e aq më tepër votat e duhura për të marrë vendime. Nga 6 anëtarë, për të marrë një vendim duhen së paku pesë vota pro, por në kushtet që Vitore Tusha më shumë se Kryetare e Gjykatës është një mbajtëse çelësash e ndërtesës, sigurisht që dilemat janë të mëdha sesi kjo gjykatë mund të marrë vendim për shembull për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, apo për kushtetueshmërinë e vetë anëtarëve të saj, si Xhaferllari, e cila vetë në këtë rast do tërhiqej nga gjykimi i cështjes për shkak të konfliktit të Interesit.
E megjithatë Gjykata tashmë funksionon normalisht dhe burime diplomatike i pohuan ”Real STORY”, se ndoshta brenda 31 dhjetorit “mund të dekretohet edhe anëtari i shtatë”. I cili në këtë rast dhe sipas radhës do të jetë një njeri i Presidentit. Presidenti i cili çuditërisht, ndryshe nga herët e tjera nuk bëri zë kur dekretoi Binajn një kandidaturë e vetme e KED para disa ditësh, apo Përparim Kalon sot, megjithëse kandidatura e tretë, ajo e Zhaklina Petos, u vetë largua nga gara me herët gjatë ditës. Pra loja jo vetëm nuk ka mbaruar, por në të, tashmë në heshtje po merr pjesë edhe Presidenti. Në djall të venë parimet? Në djall edhe Kushtetuta? Tani ambasadorët nuk janë më të korruptuar dhe mbështetës të Mafias? Në djall dhe PD dhe aleanca me të “kundër regjimit fashist të Edi Ramës”?
