Lulzim Basha doli në një konferencë me gazetarët mbrëmjen e të shtunës, nga ku la të kuptohet se nuk do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor. Sipas Bashës, problem nuk është sistemi zgjedhor në Shqipëri, por kriminelët në politikë. “Përsa kohë Edi Rama vazhdon ta mbështesë karrierën e tij politike dhe fatin e tij politik tek kriminëlet, përsa kohë zbulohen kriminelë në Kuvend, në bashki, në insitucione dhe ai vazhdon të kruajë mjekrën sikur nuk ka ndodhur asgjë, harrojeni se këtu do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme! Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër kujdestar të zgjedhjeve të lira e të ndershme, i cili nuk është i përlyer dhe as pjesë e tepsisë me krimin dhe e pushtetit të marrë me krimin. Asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, po nuk e ndamë politikën nga krimi dhe ky mbetet prioriteti absolut i PD dhe i opozitës. Asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhjet, nëse ne nuk ndëshkojmë krimin elektoral”, tha ndër të tjera Basha.
Megjithatë, kryedemokrati u shpreh se ai është gati për të diskutuar edhe për ndryshimin e sistemit. Madje, Basha tha se sistemin le ta zgjedhë dhe Edi Rama, pasi sipas tij, PD ka fituar me të gjitha llojet e sistemeve. “Nuk kam ndryshuar qëndrim. Le ta zgjedhë dhe Edi Rama po të dojë sistemin. PD ka fituar me mazhoritar të pastër, me mazhoritar proporcional, prandaj e rëndësishme është që të konsultohet me shqiptarët. Nuk mund ta zgjedhë krimi i organizuar vendin ku do të bëhen zgjedhjet. Prandaj duhet më parë të dënohen krimet elektorale. Kjo e para, më pas sistemi le të zgjidhet me konsensus të popullit. Të jetë procedurë e një projekti transparent, dua të përsëris që futja e diskutimit nga sistemi është metoda më e mirë për të hequr vëmendjen nga krimi. Po ja u them mazhoritarin e pastër. Edhe ai do të dështojë nëse nuk ndajmë politikën nga krimi, nuk zmbrapsim paratë e pista të oligarkëve”, tha Basha.
Por a do të pranojë ai të ulet në tavolinë me Ramën? Basha u shpreh se ky “mit”
ka rënë tashmë, duke pohuar se nuk do të ulet në tavolinë me kryeministrin, ndërsa
bëri thirrje që të mos vonohet miratimi i reformës zgjedhore. “Miti i uljes së kryetarit me kryeministrit
në tryezë ka rënë. Nuk ka për të ndodhur diçka e tillë. Ne kemi propozuar një
ide të qartë. Ai ka vjedhur kohën e mundshme. Tani nuk ka më asnjë alibi. S’do
të pranohet asnjë alibi. Pak rëndësi ka për mua se si prezantohen, rëndësi ka të
kryhen. Sot është data 11 janar. Bundestagu e kërkonte që reforma zgjedhore të
kalonte në dhjetor. Ky kryeministër e ka bërë shkeljen e parë. Ka shkelur një
nga afatet gjermane. Thirrja ime është; asnjë minutë vonesë më. Propozimin tonë
e kanë pasur që në muajin shtator”, pohoi Basha.
I pyetur nëse opozita do t`i rikthehet protestave, Lulzim Basha tha se opozita do të përdor të gjitha format për të larguar qeverinë. Ndërsa shtoi se ai është gati të hyjë në zgjedhje që nesër. “Të gjithë format. Do të përdorim çdo formë për të sjellë zgjedhjet e parakohshme. Shqipëria nuk është e Edi Ramës por është e shqiptarëve. Prandaj zgjedhin ata nëse duan të lirohen, ose të mbesin peng e kësaj qeverie të lidhur me krimin. Që nesër hajde bëjmë zgjedhje. Si e shoh unë të arsyeshme dhe si do bëhem është gjë tjetër. Por ne do luftojmë që të bëhen një orë e më parë”, tha Basha.