Policia e Tiranës ka arrestuar 19 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 të tjerë për incidentet e ndodhura gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë, 2 korrik, pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e Policisë, kanë dëmtuar një automjet policie, si edhe kanë sulmuar deputetë të Kuvendit. Mes të arrestuarve është edhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur një gazetar gjatë protestës.
Policia bën të ditur se gjatë tubimit mbetën të lënduar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i Policisë së Shtetit.
Në kuadër të hetimeve janë proceduar penalisht edhe 12 shtetas të tjerë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e gjashtë personave të tjerë, të dokumentuar me pamje filmike duke kryer veprime të dhunshme gjatë protestës.
Sipas autoriteteve, hetimet do të vazhdojnë edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
