A mund të “thuren” bashkë, Rudina, Ralfi dhe Besiani

#NËRADAR


Lëvizja më e re, “Nisma Thurje” ka nisur aksionin e saj në disa qytete të vendit, ndërsa një ditë më herët, gjatë aktivitetit në Gjirokastër, në takimin publik të zhvilluar prej organizatorëve, të pranishëm ishin edhe deputetët e opozitës së re, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni. Prania e tyre në këtë lëvizje të re u publikua me një foto nga vetë Gjoni, por ata nuk kanë preferuar të flasin, vetëm të dëgjojnë ligjërimet e përfaqësuesve të Nismës Thurje, por prania e tyre ka ngritur pikëpyetje nëse dy deputet po përgatisin një lëvizje të re politike?!

Nuk ka asgjë të keqe që Rudina Hajdari siç dhe Ralf Gjoni të bashkojnë forcat për të krijuar një parti të re. Fakti është se nga opozita e re në parlament, ata janë ndër të vetmit me më shumë eksperiencë politike dhe moshë të re. Rudina vinte nga listat plotësuese të PD dhe ndonëse gafat e saj gjatë fjalimeve publike kanë qenë spektakolare, Rudina ka pasur kurajën të distancohet nga çdo veprim i Lulzim Bashës dhe drejtuesve të opozitës jashtë sistemi. Ralf Gjoni nga ana tjetër ka qenë një prej njerëzve më të afërt të Ilir Metës përgjatë viteve të fundit, por pas zgjedhjeve të 2017, i lënduar me këtë të fundit, pasi nuk iu ofrua një pozicion fitues në listat e LSI, ai u shfaq tejet kritik ndaj ish shefit dhe nuk ngurroi të merrte mandatin plotësues në shenjë hakmarrje ndaj Ilirit dhe Monikës.

Sigurisht që Rudina dhe Ralfi e kuptojnë shumë mirë se grupi i tyre parlamentar nuk vlen asnjë lek. Ralfi dhe Rudina janë drejtues të një grupi që as në parlament nuk voton si dy drejtuesit, ndërkohë që Rudinën si kryetare grupi e shpëtoi në minutën e fundit lëvizja e Gramoz Ruçit që i shtoi fiktivisht numrin e deputetëve, pasi Rudina dhe Ralfi e kishin humbur shumicën në grupin fillestar.

Nga ky pikëvështrim, me zgjedhjet e përgjithshme të 2021 vetëm një vit e gjysmë larg, sigurisht që Rudina dhe Ralfi duhet të mendojnë për partine e re që mund t’i mbajë ata në Parlament. Dhe sigurisht, më mirë se t’i bashkëngjiten PS, PD apo LSI, ata duhet të mendojnë për një alternativë të re. Por a është nisma thurje e Besjan Peshës, në aktivitetin e të cilës në Gjirokastër u panë dhe Rudina me Ralfin, zgjidhja më e mirë?

Besjan Pesha nuk është emër i ri në skenën shqiptare. Dikur në lëvizjen Mjaft, Besjani së bashku me Ralfin migruan në LSI. Besjani u ngrit në detyrë deri në drejtor të AKBN gjatë qeverisjes LSI-PD, por më pas u largua nën akuza për shpërdorime. Fakti që u hoq nga Ilir Meta tregon jo pak, por ajo që është edhe më e rëndë është se formalisht Besjani nuk u afrua më kurrë në LSI.

Sot Besjani ka ndërtuar një lëvizje të re të shoqërisë civile. Nismën Thurje. Ku pas Endri Shabanit, po tenton të afrojë edhe Rudinën me Ralfin.

Por a duhet Rudina, e cila deri më sot është parë nga të gjithë si pika e dobët e ndërkombëtarëve, të bashkohet me lëvizjen e themeluar nga dikush që edhe në qarqet e të huajve përflitet për nivele të korrupsionit?

Se çdo të bëjë Rudina do të shihet në ditët në vijim. Kurse Ralfi, si gjithmonë, e ka ndarë mendjen pa u menduar mirë.

Rudina dhe Ralfi mund të krijonin shpresë në radhët e opozitës me një lëvizje gjenuine dhe të papërfolur e papërlyer. Nga dje në Gjirokastër, Rudina, Ralfi dhe Besjani duken njësoj. Por mund të jetë thjesht një firmë. Për Ralfin ndoshta është vonë, po për Rudinën është ende në kohë, t’i shpëtojë rënieve, nga shiu, në breshër…/Realstory.al/



Skip to toolbar