Drafti i opozitës për hapjen e listave 100%, Minxhozi: Rama ka bërë një gabim të rëndë

Analisti Skënder Minxhozi i ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24 ka analizuar lëvizjen më të fundit të opozitës për të hedhur në tryezën e Këshillit Politik një draft për ndryshimet në Kodin Zgjedhor , 3 ditë para se mazhoranca të çonte të sajin në Kuvend.

Minxhozi thotë se me përmbajtjen e draftit që kërkon një hapje të listave 100%, opozita ka kapur dëshirën popullore dhe është identifikuar me të, por thotë se e vonoi që të fuste mazhorancën më thellë në propozimin e vet.


Ndërkohë ai vë re një gabim tek Rama, që thotë se është i pashpjegueshëm dhe i rëndë, për faktin se është rreshtuar kundër gjithë spektrit politik. Madje sipas tij, edhe reagimi i SHBA ka ardhur për këtë arsye, dhe tashmë Minxhozi thotë se është e qartë që çdo ndryshim përtej ‘5 qershorit’ duhet të bëhet me konsensus.

”Duke parë propozimin konkret, deri tani ajo u sfidua nga pala tjetër. Duke parë propozimin, opozita është në një pozitë të drejtë, me një dëshirë popullore. Kur bëhet fjalë me reformimin e zgjedhjeve, janë teknikalitetet që as nuk i duhen.

Jo partitë të caktojnë personat që shkojnë në parlament. Ne kishim një sistem absurd ku deputetët ishin të emëruar. Dhe garë mes palëve kishte vetëm në disa zona. Ndërkohë gjithë listat ishin të zgjedhura.

Opozita kapi dëshirën popullore, u identifikua me të. Por e vonoi që ta fuste mazhorancën më thellë në propozimin e vet. Mendoj që PS pra është pashpjegueshme të kuptohet se pse Rama vendosi të rreshtohet kundër spektrik politik. Ky është një gabim i rëndë. Për këtë ka qenë dhe reagimi i ambasadës. Tani që njëra palë është qeveria vendoset para spektrit politik, dhe tani duhet të flasin qartë, ftojnë për një tryezë pasi çdo ndryshim përtej 5 qershorit duhet të bëhet me konsensus.”- tha Minxhozi.


Opozita në Këshillin Politik dorëzon kërkesën për të marrë ekspertizën e OSBE-ODIHR

Opozita jashtëparlamentare në Këshillin Politik ka dorëzuar sot kërkesën për të marrë ekspertizën e OSBE-ODIHR, lidhur me dy çështjet që nuk gjendet dakordësi me mazhorancën, hapjen 100% të listave dhe lejimin e koalicioneve parazgjedhore.

Kërkesa e plotë:


Të nderuar kolegë,

Këshilli Politik është ngritur dhe funksionon mbi bazën e Marrëveshjes Politike të 14 Janarit 2020 dhe në themel të tij ka konsensualitetin. Zbatimi i plotë dhe joselektiv i kësaj marrëveshje garanton githëpërfshirjen në realizimin e një Reforme Zgjedhore konsensuale. Nëse palët nuk i qëndrojnë marrëveshjes dhe i imponojnë njëra-tjetrës akte të njëanshme, Këshilli Politik e humbet funksionin e tij.

Marrëveshja e 14 Janarit 2020 përmban një klauzolë themelore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Sipas kësaj klauzole, në rast mosdakordësie për çështje të caktuara, do të kërkohet opinioni dhe asistenca nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kjo pikë përcakton qartë që në Këshill kriteri themelor është konsensusi dhe se çdo zgjidhje duhet te jetë e pranueshme nga palët. Kjo klauzolë mundëson marrjen e opinionit dhe ndihmës së specializuar mbi çështjet e debatuara përpara se ato të draftohen bashkërisht me konsensus.

Partia Socialiste propozon ndryshimin e mekanizmit të garimit zgjedhor dhe të formulës përkatëse që kthen votat në mandate, e që përfshin edhe koalicionet. Ky propozim i njëanshëm, është i papranueshëm për Opozitën, sepse ai ndryshon rregullat bazë të garimit dhe shpërndarjes së mandateve të mbledhura në garën zgjedhore, pa shkak të ligjshëm dhe vetëm 4 muaj para fillimit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore. Duke qenë se Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe procesi zgjedhor ka filluar, kjo përbën ndryshim të rregullave në mes të procesit zgjedhor.

Argumenti i Partisë Socialiste se ndryshimet e njëanshme kushtetuese të 30 Korrikut, diktojnë ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor në lidhje me formulën e koalicioneve dhe atë të shpërndarjes së mandateve, është tërësisht i pabazë. Këto ndryshime nuk kanë hequr nga Kushtetuta koalicionin si formë organizimi politik në garën zgjedhore. Kjo formë vazhdon të mbetet në fuqi në Kushtetutë. Formulimet e Kodit Zgjedhor në fuqi, përfshirë ato të dakordësuara mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe të miratuara më 23 Korrik, janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe standartet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës.

Meqë mazhoranca kërkon të ndryshojë rregullat pa shkak të ligjshëm dhe në mënyrë të njënashme dhe ky propozim nuk pranohet nga Opozita, për shkak se bie ndesh me standartet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës, ndodhemi përpara një mosdakordësie. Rrjedhimisht, sipas Marrëveshjes së 14 Janarit të nënshkruar nga të dy palët, Këshilli Politik duhet të kërkojë paraprakisht opinionin e ekspertëve të OSBE/ODIHR-it dhe të pranojë asistencën e tij. Publikisht, OSBE-ODIHR ka rikonfirmuar gatishmërinë për të dhënë ekspertizë për Këshillin Politik, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.

Për këtë qëllim, në përputhje me pikën 2, paragrafi i tretë, të Marrëveshjes për kornizën e bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore të 14 Janarit 2020, në emër të Opozitës kërkojmë që Këshilli Politik t’i kërkojë zyrtarisht OSBE/ODIHR-it asistencë për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për palët, në përputhje me standartet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Opozita është e gatshme të japë kontributin e saj për dërgimin pa vonesë të kërkesës për asistencë, në mënyrë që Këshilli Politik të përmbushë në kohë detyrën e tij.

Me respekt,

ANËTARËT E KËSHILLIT POLITIK
Përfaqësues të Opozitës së Bashkuar

Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili


“Opozita s`ka më fuqi, u dorëzua”. Lubonja: Dy gjërat që duhet të bënte Basha

Për analistin Fatos Lubonja, ulja e opozitës në tryezën për Reformën Zgjedhore, është dorëzim i saj ndaj sistemit. Në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Fatos Lubonja tha se opozita iu dorëzua sistemit, pasi nuk arriti të përmbushte misionin e saj gjatë vitit 2019 për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. “Këtu kemi të bëjm me dorëzim të opozitës ndaj sistemit. Nëse thoshte do luftojmë sistemin, tani na del reforma zgjedhore që qenka forma për ta rrëzuar në mënyrë institucionale. Këtu ka një kontraditë që kërkon të fshehi një dorëzim. Dorëzim ndaj sistemit, sepse s`kanë më fuqi për të luftuar dhe dorëzim ndaj ndërkombëtarëve”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja argumentoi se dhe pas uljes në tryezë, opozita po luan në dy forma. Së pari, tha Lubonja, opozita po përpiqet ta lexojë uljen në tyrezë si vazhdim i aksionit të vitit 2019. Ndërsa në krahun tjetër, përpiqet të tregojë se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën. Ai  “Unë më shumë e kam lidhur me politikat dhe aksionet e opozitës se sa me mazhorancës. Patëm gjatë vitit 2019 një aksion politik të opozitës të ndërtuar mbi parullat; me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira! Kjo nuk nënkuptonte vetëm Edi Ramën por gjithë strukturat shtetërore. Prandaj duhej një qeveri teknike për të përgatitur zgjedhje të lira. Si do arrihej kjo? Me protesta për të larguar Edi Ramën. Por gjithmonë ka pasur turbullira për këtë qeverinë teknike.


Tani kemi një ndryshim. Si aksion politik ka kontradiksion. Na del Reforma Zgjedhore. Këtë e quajnë se do të na heqi ne rrezikun nga strukturat e Edi Ramës dhe do sigurojë zgjedhjet e lira në Shqipëri. Gjysma e diskursit të tyre, diskursi i tyre ka qenë; jemi me një Edi Ramë të delegjitimuar, por aksioni që bëri opozita ishte pozitiv dhe frytdhënës se bindi ndërkombëtarët. Kërkojnë të thonë se kjo që po bëjmë tani është vazhdimësi e asaj që bëm më parë. Tani, thonë përsëri që Edi Rama duhet të iki. Në mendimin tim kjo gjysma e dytë është retorikë”, tha Lubonja.

Megjithatë, ai tregoi rrugën që duhet të ndiqte opozita deri në zgjedhjet e ardhshme. “Tani mua më duket nga që nuk kanë çfarë t`i bëjë sistemit, pranojnë rrugën e fasadës. Opozita duhet të forconte lidhjet me atë popullin që duhet të bëjë protestat. Një nga arsyet pse opozita u tërhoq është se nuk arriti të mobilizojë një popull. Nuk arriti të ngjallte besimin te populli. Duhet të forconte lidhjet me popullin, të transformonte vetëveten, dhe t`i thoshte ndërkombëtarëve që ne jemi në krizë, nuk bëjmë një reformë sa për sy e faqe. Ne kërkojmë që ju të ndërgjegjësoheni se këtu kemi një regjim”, tha Lubonja./Realstory.al/


A mund të “thuren” bashkë, Rudina, Ralfi dhe Besiani

Lëvizja më e re, “Nisma Thurje” ka nisur aksionin e saj në disa qytete të vendit, ndërsa një ditë më herët, gjatë aktivitetit në Gjirokastër, në takimin publik të zhvilluar prej organizatorëve, të pranishëm ishin edhe deputetët e opozitës së re, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni. Prania e tyre në këtë lëvizje të re u publikua me një foto nga vetë Gjoni, por ata nuk kanë preferuar të flasin, vetëm të dëgjojnë ligjërimet e përfaqësuesve të Nismës Thurje, por prania e tyre ka ngritur pikëpyetje nëse dy deputet po përgatisin një lëvizje të re politike?!

Nuk ka asgjë të keqe që Rudina Hajdari siç dhe Ralf Gjoni të bashkojnë forcat për të krijuar një parti të re. Fakti është se nga opozita e re në parlament, ata janë ndër të vetmit me më shumë eksperiencë politike dhe moshë të re. Rudina vinte nga listat plotësuese të PD dhe ndonëse gafat e saj gjatë fjalimeve publike kanë qenë spektakolare, Rudina ka pasur kurajën të distancohet nga çdo veprim i Lulzim Bashës dhe drejtuesve të opozitës jashtë sistemi. Ralf Gjoni nga ana tjetër ka qenë një prej njerëzve më të afërt të Ilir Metës përgjatë viteve të fundit, por pas zgjedhjeve të 2017, i lënduar me këtë të fundit, pasi nuk iu ofrua një pozicion fitues në listat e LSI, ai u shfaq tejet kritik ndaj ish shefit dhe nuk ngurroi të merrte mandatin plotësues në shenjë hakmarrje ndaj Ilirit dhe Monikës.


Sigurisht që Rudina dhe Ralfi e kuptojnë shumë mirë se grupi i tyre parlamentar nuk vlen asnjë lek. Ralfi dhe Rudina janë drejtues të një grupi që as në parlament nuk voton si dy drejtuesit, ndërkohë që Rudinën si kryetare grupi e shpëtoi në minutën e fundit lëvizja e Gramoz Ruçit që i shtoi fiktivisht numrin e deputetëve, pasi Rudina dhe Ralfi e kishin humbur shumicën në grupin fillestar.

Nga ky pikëvështrim, me zgjedhjet e përgjithshme të 2021 vetëm një vit e gjysmë larg, sigurisht që Rudina dhe Ralfi duhet të mendojnë për partine e re që mund t’i mbajë ata në Parlament. Dhe sigurisht, më mirë se t’i bashkëngjiten PS, PD apo LSI, ata duhet të mendojnë për një alternativë të re. Por a është nisma thurje e Besjan Peshës, në aktivitetin e të cilës në Gjirokastër u panë dhe Rudina me Ralfin, zgjidhja më e mirë?

Besjan Pesha nuk është emër i ri në skenën shqiptare. Dikur në lëvizjen Mjaft, Besjani së bashku me Ralfin migruan në LSI. Besjani u ngrit në detyrë deri në drejtor të AKBN gjatë qeverisjes LSI-PD, por më pas u largua nën akuza për shpërdorime. Fakti që u hoq nga Ilir Meta tregon jo pak, por ajo që është edhe më e rëndë është se formalisht Besjani nuk u afrua më kurrë në LSI.

Sot Besjani ka ndërtuar një lëvizje të re të shoqërisë civile. Nismën Thurje. Ku pas Endri Shabanit, po tenton të afrojë edhe Rudinën me Ralfin.

Por a duhet Rudina, e cila deri më sot është parë nga të gjithë si pika e dobët e ndërkombëtarëve, të bashkohet me lëvizjen e themeluar nga dikush që edhe në qarqet e të huajve përflitet për nivele të korrupsionit?

Se çdo të bëjë Rudina do të shihet në ditët në vijim. Kurse Ralfi, si gjithmonë, e ka ndarë mendjen pa u menduar mirë.

Rudina dhe Ralfi mund të krijonin shpresë në radhët e opozitës me një lëvizje gjenuine dhe të papërfolur e papërlyer. Nga dje në Gjirokastër, Rudina, Ralfi dhe Besjani duken njësoj. Por mund të jetë thjesht një firmë. Për Ralfin ndoshta është vonë, po për Rudinën është ende në kohë, t’i shpëtojë rënieve, nga shiu, në breshër…/Realstory.al/


Opozita propozon votimin elektronik: Shmang shit-blerjen e votës

Opozita e bashkuar doli me një propozim konkret në lidhje me shmangien e fenomenit të shit-blerjes së votës, dhe ajo është votimi elektronik. Ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se opozita ka propozime konkrete për Reformën Zgjedhore që janë plotësisht të realizueshme, por se mazhoranca nuk dëgjon nga ai vesh. Bylykbashi tha se opozita është e vendosur të luftojë fenomenin e shit-blerjes së votës dhe votimi elektronik është një zgjidhje e saj.

“Ka propozime konkrete për zgjedhjet sa i përket votimit. Identifikimi elektronik, votimi elektronik, është një zgjidhje. Duhet të luftojmë shit-blerjen dhe manipulimin e votës, nëpërmjet marrjes së kartave të identitetit. Të luftojmë presionin dhe manipulimin që bëjnë qendrat e votimit. Do të bëjë të mundur heqjen e duarve nga kutitë e votimit dhe do të garantojë një numërim të besueshëm. Propozimi ynë është i qartë. Mesa duket mazhoranca nuk dëgjon nga ai vesh. Opozita drafton rekomandimet e OSBE/ODIHR. Zgjidhjet që nuk gëzojnë besimin e palëve nuk mund të jenë funksionale, komisionerët të ushtrojnë detyrën e tyre pa manipuluar votat. Zgjidhjet tona konkrete janë plotësisht të realizueshme.” tha Bylykbashi , i cili foli pas mbledhjes që opozita e bashkuar zhvilloi për rreth dy orë në lidhje me diskutimet me Reformën Zgjedhore, ku mblodhi grupin e saj të punës në selinë blu.


Takimi që nisi në orën 18:00 kishte në program të saj të diskutimit 3 pika kryesore që lidheshin me rekomandimet e ODIHR-it, votimin elektronik dhe shmangien e votimeve familjare.  


Gjekmarkaj: Opozita e çoi krizën në Europë

Agron Gjekmarkaj u shpreh në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se ndryshimi i kursit të Lulzim Bashës në të bërin opozitë, është një lajm i mirë. Sipas Gjekmarkaj, Basha ka ndryshuar strategji, që sipas tij, prej tani, opozita do të jetë prodhuese e lajmeve. “Është lajm i mirë, nga videot që ne pamë të kujton fushatën elektorale të kryetarit të Stambollit. Ky është një reflektim në planin e diskursit publik. Ky është një ndryshim strategjie. Nuk jam dakord për leximin që i bëri Erli situatës së opozitës”.

“Nëse do ishte për protestat Rama do kishte rënë. Ai nuk ra se e mbajtën ndërkombëtarët. Opozita nuk pati sukses ta rrëzoi me protesta. Por ia doli të eksportojë krizën në kancelaritë evropiane. Kushtet e Bundestagut e shndërruan qeverinë në kufomë politike. Opozitës i takon të bëhet iniciatore e lajmeve në Shqipëri. Nga sot lajmet do i diktojë opozita dhe jo më qeveria”, tha Gjekmarkaj. Më tej, analisti Gjekmarkaj u shpreh se protestat e opozitës janë ndaluar, pasi çështja është jashtë kufijve të Shqipërisë dhe po monitorohet nga ndërkombëtarët.


Sipas Gjekmarkaj, opozita në parlament është marionetë, duke shtuar se nuk beson se Shqipëria do të ketë hapje të negociatave me Edi Ramën. “Opozita e bashkuar sot është njësoj sikur dikush ta ngul thikën pas shpine dhe ti normalisht do të kesh tjetër rrugë. Rrugët tashmë janë të ndara. Opozita në parlament janë marioneta. Për mua, opozita në parlament nuk janë fare në koncept politik. Unë nuk besoj se negociatat mund të hapen me Edi Ramën. Rama ka 7 vjet që qeveris, 4 herë ka gënjyer për hapje negociatash”.

“Nuk besoj se ka shqiptar që beson se Edi Rama do hapë negociatat. Unë besoj se Rama është pengesa kryesore që ne nuk na lejon të hyjmë në Europë, me kanabizimin, me krimin, me aferat, me skandalet.   Edhe në zgjedhjet e 30 qershorit, pjesëmarrja ishte e ulët dhe po ashtu as negociatat nuk u hapën dhe ka krizë të thellë. Me këto që ka ndodhur, nuk ka arsye pse të kenë ulje. Mendoj se Basha është në rritje cilësore në këtë moment”, tha Gjekmarkaj. /Realstory.al/


Opozita e lexon “Venecian” si Meta: Rrëzoi Ramën

Partitë e opozitës dolën në një deklaratë të përbashkët për shtyp për raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias. Ashtu si Ilir Meta, edhe opozita e lexon raportin në favorin e Presidentit. Në deklaratën e përbashkët të opozitës, sipas tyre “Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës”, ndërsa shtohet se nisma e maxhorancës për shkarkimin e tij “bie ndesh me Kushtetutën”.  “Opozita e Bashkuar përshëndet opinionin e Komisionit të Venecias që rrëzoi planin antikushtetues të Edi Ramës për të uzurpuar institucionin e Presidentit të Republikës. Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkleje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën. Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfrimuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga PD.

Sipas leximit, që opozita i bën raportit të Komisionit të Venecias, pohohet se Edi Rama nuk ka ndjekur rrugën kushtetutese për kundërshtimin e dekreteve të Presidentit. “Komisioni i Venecias pohon se qeveria e Edi Ramës nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi”, shtohet në deklaratë.


Në paragrafin pasardhës të reagimit të opozitës, thuhet se “Votimet moniste të 30 Qershorit, të mbajtura pa Dekret të Presidentit të Republikës, janë jo vetëm antikushtetuese, por një akt i paprecedentë në historinë e 30 viteve demokraci. Ky akt është një hap i madh prapa, që bie ndesh me vlerat dhe strandardet europiane”. Në këtë pohim, duket kontradiktor fakti që sipas opozitës, që i referohet Komisionit të Venecias se “dekreti i Metës nuk është kundërshtuar në rrugë kushtetuese”, i cilëson zgjedhjet e 30 qershorit anti-kushtetuese. Por, Komisioni i Venecias konfirmoi se bojkoti i zgjedhjeve nga opozita nuk i bënte ato anti-kushtetuese, ndërsa SHBA dhe BE, janë shprehur qartë se “ligjshmërinë ose jo të 30 qershorit do ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese”. Madje, ky është dhe një nga kushtet e Bundestagut dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian, të cilët kërkojnë që pasi të ngrihet Gjykata Kushtetuese, të jepet një vendim për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në fund, sipas opozitës, raporti i Komisionit të Venecias  konfirmoi qëllimin e Edi Ramës për kapjen e të gjitha pushteteve, duke rrëzuar propagandën për shkarkimin e Presidentit. “Opinioni konfirmoi edhe njëherë se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është kapja e të gjitha pushteteve, rrënimi i shtetit ligjor dhe parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit qeveritar. Edi Rama është konfirmuar si Kryeministri i vetëm në Europë që, pasi kontrollon politikisht Parlamentin, prokurorinë, gjykatat, ekonominë, pushtetin lokal, po tenton të kapë politikisht edhe institucionin e Presidentit. Opinioni Final i Komisionit të Venecias rrëzon propagandën e Edi Ramës për shkarkimin e Presidentit, propagandë e cila mbahet në këmbë nga një komision parlamentar me mision të dështuar antikushtetues”, përfundon deklarata e opozitës./Realstory.al/


Rama: Metën e shkarkojmë, me opozitën bashkëpunojmë

Kryeminisri Edi Rama ka folur në një intervistë për Tv Klan, duke prekur disa nga çështjet më të nxehta të aktualitetit politik, dhe jo vetëm, në vend. Fillimisht, shefi i qeverisë ka folur për hapjen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Në deklaratën e tij, Rama ka preferuar të jetë i rezervuar, duke u shprehur se nëse do të hapen ose jo negociatat, “këtë do e marrim vesh në 18 tetor”. “Këto do e marrim vesh në 18 tetor dhe pse jemi në fund të rrugë. Por dhe pse është ende shumë e gjatë ka dhe shumë vendime për të marrë.”

Kreu i qeverisë, duke nisur prej muajve të verës, ka anashkaluar pothuajse çdo akuzë politike ndaj kundërshtarëve. Në rrjetet sociale, çdo ditë, kreu i qeverisë ka zgjedhur të publikojë punë të ndryshme të bëra në qytete të vendit, nga rikonstruksioni i qendrave urbane, te spitalet, shkollat, çerdhet, rrugë, apo dhe mesazhe të qytetarëve që u janë zgjidhur problemet pasi kanë kërkuar ndihmë në portalin qeveritar.


Për herë të parë, Rama ka pranuar se kjo është një strategji e re e komunikimit të tij publik, duke u shprehur se nuk do të thotë më asnjë fjalë për të tjerët, pasi e quan kohë të humbur. “Do dëgjoni gjithmonë dhe më pak nga unë fjalë  në lidhje me të tjerët. Nuk më interesojnë sepse është kohë e humbur është energji e shpenzuar kot”, ka thënë Kryeministri. Më tej, gjatë fjalës së tij, Rama ka përsëritur qëndrimin se mbetet me dorën shtrirë ndaj opozitës për dialog, jo vetëm për Reformën Zgjedhore, por për shumë aspekte të jetës së vendit.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të ndërveprojmë me të gjithë qoftë më opozitën në parlament apo opozitën jashtë parlamentit. Jo vetëm për reformën zgjedhore, por për çdo aspekt të jetës së vendit që kërkon vëmëndje”. Në fund, Rama është shprehur se shkarkimit të Ilir Metës do ti shkohet deri në fund. “Kjo shumicë qeverisëse nuk është krijuar për të bërë presione ndaj askujt. Procesi në fjalë është një proces dhe tani është në dorë të parlamentit”, ka thënë Rama, ndërsa është shprehur se për Shkodrën ende nuk është gjetur një zgjidhje.


Zbardhet axhenda, ekspertët e Venecias përjashtojnë Bashën nga takimet

Komisioni i Venecias ka zbardhur të shtunën axhendën e takimeve që ekspertë e delegacionit të tij do të zhvillojnë në Tiranë ditën e hënë. Ajo që bie në sy në axhendën e delegacionit të Komisionit të Venecias është se nuk është parashikuar asnjë takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Delegacioni do të ketë takime në Kuvend, me mazhorancën dhe opozitën parlamentare, me Presidentin, kryeministrin, ministrin e Brendshëm, përfaqësues të KQZ, por në axhendën e tij nuk është parashikuar të takohet me kreun e PD-së, Lulzim Bashën, i quajtur njëherësh dhe si kreu i opozitës joparlamentare.


“Një delegacion i Komisionit të Venecias do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të përgatitjes së draft-opinioni mbi kompetencat e një Presidenti për të caktuar datat e zgjedhjeve në një sistem parlamentar. Delegacioni do të takojë autoritetet e mëposhtme shqiptare:

Presidentin e Shqipërisë, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, përfshirë Komisionin e Posaçëm Hetues, si dhe Ministrin e Brendshëm, përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar nga Komisioni i Venecias, ndërsa shton se draft-opinioni do të prezantohet në tetor.

Në të njëjtën ditë që do të vijë delegacioni i Venecias, 9 shtator, do të dëshmojë para Komisionit Hetimor vetë Presidenti Ilir Meta.

Ky delegacion vjen me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë, që dëshironte një opinion lidhur me nismën e ndërmarrë nga deputetët për shkarkimin e Ilir Metës, pasi ky i fundit anuloi 30 qershorin.

Kujtojmë se më 8 qershor, Meta firmosi një dekret për anulimin e 30 qershorit, vendim i cili u gjuajt anti-Kushtetues nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor dhe lokalet u mbajtën në datën e caktuar që prej vitit të kaluar nga Presidenti.


Raporti i ODIHR, Rama: Gati për dialog me opozitën, zgjedhjet në 2021

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter disa orë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i qeverisë i quan të kota përpjekjet e opozitës për mënyrën se si po e lexojnë raportin e ODIHR, duke dashur të ‘ngrejnë furtunë në gotë’. Rama shprehet se përpjekja e opozitës, për ta lexuar raportin si ‘goditje ndaj zgjedhjeve’ është e gabuar dhe dëmshme për vendin. “Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”, shkruan Rama.

Më tej, shefi i qeverisë vijon me komentin e tij, duke shkruar se tashmë është koha që mazhoranca dhe opozita të punojnë për të realizuar adresimet kryesore të raportit të ODIHR. Ndaj, Kryeministri i kërkon opozitës të pranojë dialogun për realizimin e reformës zgjedhore, duke u shprehur se shqiptarët presin të ‘hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi’ për vendin. “Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë”, shkruan Rama.


Në fund, Rama përsërit thirrjen për bashkëpunim e dialog ndaj opozitës, duke u shprehur se ‘dora jonë është e shtrirë’. Ai gjithashtu jep dhe mesazhin, se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në vitin 2021, duke lënë të kuptohet, se mbetet i vendosur për të mos pranuar kushtin e opozitës për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore. “Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogut e bashkëpunimit, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”, përfundon Rama.


Skip to toolbar