Platforma YouTube rrezikon një gjobë prej 100 milionë dollarësh për shkeljen e privatësisë ndaj të miturve. Departamenti i drejtësisë në SHBA ka kryer një hetim muajt e fundit ku ka rezultuar se YouTube ka shkelur një ligj që ndalon reklamat tek videot kur përdoruesit janë nën 13 vjeç.
Burime nga departamenti amerikan i shtetit thanë se YouTube grumbullonte të dhëna personale nga fëmijët, për llogari të kompanisë Google. Kjo është e ndaluar nga ligji për mbrojtjen e privatësisë online për fëmijët.
Drejtuesit e YouTube ende nuk kanë bërë asnjë koment lidhur me këto hetime.
Muajin e kaluar, kjo platformë njoftoi se do të bënte ndryshime ku parashikohej krijimi i profileve të veçanta për fëmijët, me akses të kufizuar tek videot që publikohen në YouTube.