Zguri, “heroi” i votës kundër edhe pas 7 vendimeve të Kolegji Zgjedhor

Më të fundit


Kryetari i KQZ, Klement Zguri është “heroi i fundit”, i cili i ka qëndruar kauzës së opozitës dhe dekretit të Metës për të mos pranuar zgjedhjet e 30 qershorit. Zguri, edhe pas 7 vendimeve që u dhanë të hënën nga Kolegji Zgjedhor, duke certifikuar këshillat bashkiakë, për të cilët më herët, KQZ nuk kishte arritur të merrte votën e tij, sërish ka votuar kundër për mandatimin e 6 këshillave bashkiakë, të cilët u shqyrtuan të hënën pasdite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kolegji Zgjedhor vendosi të hënën të shpërndajë mandatin e këshillave bashkiakë në 7 Bashki, duke i hapur rrugë betimit të kryebashkiakëve të parë të dalë nga procesi i 30 qershorit. Kolegji Zgjedhor shpërndau mandatet për këshillat në bashkitë Ura Vajgurore, Devoll, Kuçovë, Konispol, Memaliaj, Përmet dhe Poliçan.


Pesëshja e gjyqtarëve pranoi kërkesën e socialistëve, të cilët kërkuan ndihmën e Kolegjit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dështoi t’i jepte mandatin këshilltarëve bashkiak, për shkak të votës kundër të kryetarit Klement Zguri. Pak minuta para nisjes së procesit Partia Demokratike i kërkoi Kolegjit Zgjedhor  të pezullonte shpërndarjen e mandateve  dhe të priste derisa Kushteutesja të shqyrtojë ankimimin e bërë nga shoqata e Bashkive  për kushtetutshmërinë e 30 qershorit. Kërkesa e opozitës jashtë parlamentare nuk ishte e vetmja, e cila u refuzua nga trupa e kolegjit. 5 ankimimet  e Bindjes Demokratike për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në bashkitë Selenicë, Shijak, Kurbin, Tiranë dhe Berat dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve u rrëzuan nga kjo gjykatë. Të njëjtin fat pati edhe kërkesa ankimore e kryebashkikut në ikje të Finiqit, Leonidha Hristo, i cili nuk njeh rezultatin e 30 qershorit.

Por, pas këtyre vendimeve, të cilat zgjatën deri në orët e pasdites së të hënës, u mblodh KQZ për të shqyrtuar projektvendimet për shpërndarjen e mandateve për këshillin bashkiak në 6 bashki, që ende nuk ishin shqyrtuar. Ndryshe nga mbledhjet e para, kur Zguri ka votuar kundër, duke detyruar PS t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor, pasi mandati për këshill duhet të jetë me pesë vota, u mendua se pas vendimeve të KQZ, odiseja nuk do vijonte me të njëjtën procedurë dhe që Kryetari i KQZ do të pranonte vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe do të jepte votën pro. Por sërish, Zguri ka vijuar të japë votën kundër, duke bërë që KQZ të mos arrijë kuorumin me 5 vota për të marrë vendim për shpërndarjen e mandateve, pavarësisht se edhe këto vendime, duke qenë se ndryshojnë vetëm emrat e këshilltarëve bashkiakë, do të kenë të njëjtin fat dhe do të miratohen në Kolegj Zgjedhor.




Skip to toolbar