Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Verri të Fierit, ku një adoleshent i ka dhënë fund jetës në kushte të pashpjegueshme. 16-vjeçari është gjetur i varur në kasolle nga të afërmit, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes tragjike.
Burimet policore thanë se adoleshenti me iniciale Gj. T. është gjetur i varur në kasolle rreth orës 16:30 të së dielës nga të afërmit e tij, të cilët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por ai kishte ndërruar jetë. Menjëherë pas kësaj, ngjarje, në fshatin Verri kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet mbi këtë ngjarje dhe motivet që e çuan 16-vjeçarin drejtat aktit të rëndë të vetëflijimit. Për zbardhjen e saj, grupi hetimor tha se ka marrë në pyetje familjarët dhe bashkëmoshatarët e viktimës, ndërkohë që ende nuk ka një motiv të qartë mbi këtë vendim të tij. Nga ana tjetër, trupi i pajetë i adoleshentit është dërguar për ekspertizë mjekoligjore pranë morgut të Fierit.