7 gola dhe rekord për super Atalanta

SPORT


Atalanta ka mundur 7-1 Udinese dhe tani është vetëm tri pikë larg Juventus, kryesues në renditjen e Serisë. Dhe të mendosh se ndeshja ka nisur me një gol të bardhezinjve pas 12 minutash lojë.

Reagimi i bergamaskëve ka ardhur në minutën e 21-të me golin e barazimit të Ilicic. Lajmi tjetër i keq për Udinese ka ardhur në minutën e 32-të pas kartonit të dytë të verdhe të marrë nga Opoku.


Zikaltrit kanë përfituar menjëherë nga superioriteti numerik, duke realizuar dy gola të tjerë në pjesën e parë me Muriel (35′, pen) dhe Ilicic (43′).

Goleada e Atalanta-s ka vazhduar në pjesën e dytë me golat e Muriel (48′, 75′ pen). Me tregolëshin e realizuar sot, kolumbiani është bërë lojtari i dytë në historinë e klubit bergamask që ka shënuar të paktën tetë gola në nëntë javët e para të një sezoni të Serisë A pas Karl Aage Hansen (9 gola) në sezonin 1949/50.

Pasalic (52′) dhe 17-vjeçari Traore (83′) kanë realizuar dy golat e tjerë të Atalanta. Bergamaskët kanë shënuar 28 gola deri tani, një rekord pas nëntë javëve të para të kampionatit italian në epokën e 3 pikëve për fitore. Skuadra e fundit që ka bërë më mirë ka qenë Milan në sezonin 1992-93 (29 gola).




Skip to toolbar