Një aksident tragjik ka ndodhur pak pas mesnate këtë të shtunë në një autostradë në Forli të Italisë. Një mjet tip Volsvagen Pasat, që udhëtonte nga Rimini në drejtim të Bolonjës, me tre persona në bord, është përplasur me një Renaul Clio, ku ndodheshin dy persona brenda tij. Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë mbetur të plagosur rëndë tre persona, ndërsa dy persona të tjerë, kanë humbur jetën.
Pikërisht, personat që kanë vdekur në aksident, mësohet të jenë me kombësi shqiptare. Personat që kanë humbur jetën janë përkatësisht një djalë 28 vjeç dhe një grua 38 vjeç, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet me dije. Sipas mediave italiane, operacioni i policisë dhe zjarrfikësve për të nxjerr trupat nga makinat ka zgjatur mbi katër orë për shkak të dëmeve të mëdha që kishin pësuar mjetet nga aksidenti.
Mësohet se gjatë aksidentit, dy persona me shtetësi italo-zvicerane, përkatësisht një grua 49 vjeç dhe një burrë 54 vjeç, janë plagosur rëndë. Policia në Itali raporton se ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërkohë që pritet të mësohet identiteti i dy viktimave nga Shqipëria.