Aksidentohet makina e eskortës së gjyqtares që ka në dorë ‘arrestin’ e Berishës

AKTUALITET


Makina që u përfshi në aksident mbrëmjen e sotme në zonën e Selitës në Tiranë po eskortonte familjen e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka.

Më 26 dhjetor Gjyqtarja Gjoka caktoi seancën për shqyrtimin e kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zëvendësuar masën e sigurisë ndaj ish kryeministrit Sali Berisha i akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani. Kërkesa erdhi pasi Kuvendi autorizoi një ditë më parë SPAK për arrestin e Berishën, pasi refuzoi disa herë të zbatonte masën e mëparshme “detyrim paraqitje” para oficeres gjyqësore.

Mbrëmjen e sotme makina e Gardës së Republikës ku ndodhej familja e kryegjyqtares, e cila po ruhet me masa shtesë, pas vendimit që Gjoka dha më 20 tetor 2023 për ish-kryeministrin Sali Berisha, u përplas nga një makinë policie.

Në dëshminë e dhënë, polici është shprehur se teksa po drejtonte makinën humbi kontrollin për shkak të shiut, duke ia lënë fajin “rrugës”. Paraprakisht, dyshohet se efektivi, që është prezantuar si polic nga Elbasani, po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara.

Megjithatë, për këtë ngjarje kanë nisur hetimet dhe po kryhen verifikime urgjente nga SHISH dhe Garda,

Në njoftimin që policia e Tiranës shpërndau rreth orës 21:50 nuk jepej shumë detaje por informohej se një automjet është përplasur me makinën e policisë dhe si pasojë efektivi ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të plagosur, por vetëm dëme materiale.

“Më datë 22.12.2023, në Selitë, janë përplasur (vetëm me dëme materiale) automjeti me drejtues shtetasin A. D., me automjetin e Policisë, me drejtues shtetasin I. H. Si pasojë shtetasi I. H., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga”, njofton policia e Tiranës.

Prej ditësh Garda e Republikës kishte shtuar truprojat për ruajtjen e gjyqtares Irena Gjoka e cila vijoi të përballej me sulme verbale të njëpasnjëshme nga Sali Berisha që pas vendimit të datës 20 tetor 2023 kur firmosi masën e arrestit ‘detyrim me paraqitje’ dhe ndalim të udhëtimit jashtë për vetë Berishën si dhe masën e arrestit me burg për Jamabër Malltezin. Të dy akuzohen për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani që pasoi me ndërtimin e 19 kullave dhe një fitim prej 5.4 milionë eurosh dhëndrit të ish kryeministrit Berisha.

Si drejtuese e gjykatës së Posaçme, Gjoka kishte pasur deri katër truproja, ndërkohë që ky numër i ishte shtuar në gjashtë pas sulmeve verbale dhe shantazheve publiike që Berisha përcillte drejtuar gjyqtares në deklaratat e tij live nëpër konferenca për median apo dhe në takimet e tij politike me deputetët e Rithemelimit apo militantë.



Skip to toolbar