Shqipëria ka qenë një nga 70 vendet e përfshira gjatë një aksioni ndërkombëtar, i koduar “OPSON 8” i zhvilluar nga Interpol dhe Europol, ku janë goditur aktivitetet kriminale të prodhimit, tregtimit dhe trafikimit të produkteve ushqimore dhe pijeve nën standarde dhe të falsifikuara.
Në vendin tonë, sipas një komunikate zyrtare të Policisë së Shtetit, janë kontrolluar 244 subjekte tregtare, persona fizikë, punishte dhe automjete transporti. Gjatë këtij operacioni janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale, nga “Mashtrimi”, “Kontrabanda”, “Prodhim i kundraligjshëm”, “Fshehje e të ardhurave” etj, në total 30 subjekte.
22 persona, sipas policisë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa 9 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Gjithashtu, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar sasi të mëdha mallrash të destinuara për konsum nga qytetarët shqiptarë, përfshi produkte si mishi, vera, kafe, djath, sallamra, pije alkolike, dhe produkte të tjera, të cilat kapin vlerën e 160 000 dollarëve.