“Nuk shembet siguria, për një ngjarje, as për dy”, Lleshaj komenton nga Gjirokastra zhvillimet e fundit kriminale

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj iu përgjigj sot interesit të medias lidhur me ngjarjet e fundit kriminale që kanë tronditur vendin.

“Keni dëgjuar shumë vrasje këto ditë. Madje këto ditë kanë ndodhur pothuajse 10% e vrasjeve që kanë ndodhur gjithë vitin në Shqipëri. Kjo është diçka e cila për fat të keq, për sa kohë kemi njerëz, edhe ndodh që mund të kesh 2-3 ditë që ke një përqendrim të veprave kriminale dhe pastaj ke 2-3 muaj që s’ke asnjë vepër kriminale.” tha Lleshaj ndërsa theksoi se kjo nuk na bën të humbasim toruan dhe të biem në panik.

Pyetje: Z. Ministër, këto ditët e fundit kemi dëgjuar shumë vrasje. A është normale për një vend si Shqipëria?

Ministri Lleshaj: Keni dëgjuar shumë vrasje këto ditë. Madje këto ditë kanë ndodhur pothuajse 10% e vrasjeve që kanë ndodhur gjithë vitin në Shqipëri. Kjo është diçka e cila për fat të keq, për sa kohë kemi njerëz, edhe ndodh që mund të kesh 2-3 ditë që ke një përqendrim të veprave kriminale dhe pastaj ke 2-3 muaj që s’ke asnjë vepër kriminale. Kjo nuk na bën neve të humbasim toruan dhe të biem në panik.

Unë ju ftoj që ta kundroni, të shihni ftohtë situatën e rendit dhe sigurisë dhe mos të biem në panik nga një ngjarje që të themi u shemb! Nuk shembet Shqipëria, as siguria, për një ngjarje, as për dy. Por ju them që gjithsesi, numri i veprave të rënda kriminale në Shqipëri është ky që është. Jemi më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, jemi shumë më poshtë, jemi shumë më poshtë sesa çdo periudhë e ngjashme e historisë sonë. Kaq është. Kjo është e provueshme.
Ne sot kemi rreth 35 vrasje deri tani. S’kemi pasur kurrë ndonjëherë në historinë e re të Shqipërisë, kaq. A janë shumë? Sigurisht që janë shumë. Duhet të jenë zero. Por zero nuk bëhen kurrë këto, për sa kohë ka njerëz në botë. Dhe këtë mund ta krahasoni dhe me shifrat më të mira të vendeve të tjera perëndimore. Kemi shumë vende europiane që kanë më shumë vrasje për frymë sesa Shqipëria. Vende europiane, jo vende të rajonit! Ndaj unë e ftoj edhe median, publikun dhe shoqërinë që të mundohemi të mos krijojmë situata histerie dhe paniku dhe tjetra, të distancohemi pak nga krimi. Distancim nga krimi unë nënkuptoj mbështetjen e policisë. Se nganjëherë i turremi policisë a thua se Policia i bën vrasjet! Jo, Policia është për t’i parandaluar dhe për të gjetur e vënë para përgjegjësisë autorët e tyre.

Kështu që nuk mundet dhe këtë e kam shqetësim për ata që arrijnë ta ndiejnë shqetësimin njëlloj si unë. Ka të tjerë që s’duan ta ndiejnë, mos ta ndiejnë. Por për ata që arrijnë ta ndiejnë përgjegjësinë për këtë vend, seriozisht duhet që në këto momente policia të inkurajohet për të bërë detyrën, sepse s’duhet të harrojmë që policët janë njerëz. Që edhe ata mund të zhgënjehen një ditë, që edhe ata mund të demotivohen, edhe do ta bëjnë punën më keq. Ne kemi interes që policët ta bëjnë punën më mirë dhe që ta bëjnë punën më mirë ata kanë nevojë për mbështetjen tonë, të medias në radhë të parë, të qytetarëve në radhë të dytë, dhe sigurisht ne e kemi detyrë funksionale dhe s’bëhet fjalë për mbështetjen tonë. Faleminderit.

“Edhe fëmija të ishte, të dënohet”. Burri i Drita Saliaj kërkon dënimin e nipit të tij

Të mërkurën u përcoll për në banesën e fundit Drita Saliaj, 50-vjeçarja që u vra nga nip ii bashkëshorit të vet në datën 5 janar. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ndërsa autori, 16-vjeç së bashku me dy shokë të tij e vranë Dritan Saliajn pasi tentuan të grabisnin shtëpinë e saj.

Bashkëshorti i viktimës, Hair Saliaj nuk ndodhej në shtëpi, pasi në fund të muajit nëntor kishte emigruar drejt Greqisë. Ndërsa të mërkurën ai kishte ardhur për të përcjellë në banesën e fundit bashkëshorten, që u vra pabesisht nga nipi i tij. Ai foli për mediat lokale të Fierit, duke rrëfyer momentet e para të njoftimit për krimin makabër. Ndër të tjera, Hair Saliaj kërkon drejtësi, duke deklaruar se nipi duhet të dënohet.

“Unë isha në Kretë të Greqisë. E marr në telefon dhe nuk ma hapte. Më njoftoi vëllai i madh në telefon. Këtu kishte ardhur policia në orën 1 të natës. Më njoftoi në mëngjes. Ndjeva direkt. Tani në fund të nëntorit ika. Kishte ndenjur shumë herë vetëm. Na thanë se është dera e mbyllur dhe nuk ka njeri. Kur kishin hyrë brenda dhe e kishin parë shtëpinë përmbys, atëherë thash se diçka ka ndodhur. Po nipi. Patjetër që po, do kërkojmë drejtësi. Edhe fëmija po të ishte, një krim ndaj prindërve, duhet të ndëshkohet”, thotë mes dhimbjes Hir Saliaj.

Ngjarja e rëndë nodhi në 5 janar. Nipi i burrit të Drita Saliaj kishte shkuar në shtëpinë e xhaxhait për të vjedhur së bashku me dy shokë. Por ai ishte pikasur nga viktima. Më pas, tre të rinjtë e kanë mbytur 50-vjeçaren dhe e kanë hedhur në një ujëmbledhës në fshatin Gjerbës. Ishin të afërm të tjerë të viktimës, ata që vunë re se ajo nuk ndodhej në shtëpi dhe lajmëruan policinë. Dy ditë pas vrasjes, Drita Saliaj u gjet në rezervuarin e fshtatit. Për ngjarjen e rëndë u arrestuan Luis Saliaj, Sindi Shehaj dhe Ervis Zotaj.

SHBA i dhuron pajisje kompjuterike Policisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të dhurojnë pajisje hetimore për institutcionet ligjzbatuese shqiptare. Të hënën, Shërbimi i Sigurisë Diplomatike dhe Ndihmës së Antiterrorizmit pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, i dhuroi Policisë së Shtetit pajisje kompjuterike për hetimin e krimit kibernetik. Këto pajisje u dhuruan për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Labratorin Kriminalistik.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe znj. Janet Meyer, Shefe e Zyrës Rajonale të Sigurimit të Shërbimit Diplomatik në Ambasadën amerikane në Tiranë kanë nënshkruar aktin e dhurimit të këtyre pajisjeve”.

“Veliu ka falënderuar znj. Meyer për ndihmën, mbështetjen dhe suportin në vijimësi që Ambasada amerikane dhe Programi i Ndihmës së Antiterrorizmit ka dhënë e po i jep Policisë së Shtetit dhe ka theksuar se Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët strategjikë për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin. Dhurimi i këtyre pajisjeve është në vijimësi të programit 1.3 milion dollarë nga SHBA-ja, për trajnime dhe suport për Policinë e Shtetit”, thuhet në një njoftim të Polcisië së Shtetit.

E mbyllën në makinë për 5 orë, vdes 13-vjeçarja me aftësi të kufizuara

Një 13-vjeçare me aftësi të kufizuara ka humbur jetën, pasi është lënë në makinë për 5 orë në mes të diellit në Carolinën e Jugut, SHBA. Për ngjarjen e rëndë, policia ka akuzuar për vrasje nënën e vajzës 49-vjeçaren Rita Pangalangan dhe të dashurin e saj, Larry King,41 vjeç.

Pasi kanë parkuar makinën dhe lanë vajzën aty, ato janë larguar duke u kthyer pas 5 orësh. Kur kanë ardhur vajza ishte pa jetë dhe mjekët nuk mund të bënin dot më asgjë.

Tashmë prindërit e papërgjegjshëm do të përballen në gjykatë me akuzën e vrasjes me dashje.

Aksioni i Europol zbulon krimin ushqimor në Shqipëri, arrestohen 9 persona

Shqipëria ka qenë një nga 70 vendet e përfshira gjatë një aksioni ndërkombëtar, i koduar “OPSON 8” i zhvilluar nga Interpol dhe Europol, ku janë goditur aktivitetet kriminale të prodhimit, tregtimit dhe trafikimit të produkteve ushqimore dhe pijeve nën standarde dhe të falsifikuara.

Në vendin tonë, sipas një komunikate zyrtare të Policisë së Shtetit, janë kontrolluar 244 subjekte tregtare, persona fizikë, punishte dhe automjete transporti. Gjatë këtij operacioni janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale, nga “Mashtrimi”, “Kontrabanda”, “Prodhim i kundraligjshëm”, “Fshehje e të ardhurave” etj, në total 30 subjekte.

22 persona, sipas policisë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa 9 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Gjithashtu, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar sasi të mëdha mallrash të destinuara për konsum nga qytetarët shqiptarë, përfshi produkte si mishi, vera, kafe, djath, sallamra, pije alkolike, dhe produkte të tjera, të cilat kapin vlerën e 160 000 dollarëve.

“Mediat holandeze e kanë nxirë Shqipërinë pa fakte”

Holanda kërkoi rikthimin e vizave për Shqipërinë për shkak të rekordeve të larta kriminale dhe emigrantëve të shumtë që hynin ilegalisht në atë vend. Mirëpo sipas një investigimi të Top Story, në fakt në një raport të paraqitur nga vetë qeveria holandeze për kriminalitetin në vend gjatë 5 viteve të fundit, shqiptarët zënë më pak se 0.2 %, që është një shifër e papërfillshme dhe për më tepër bëhet fjalë kryesisht gjëra të vogla. Madje Shqipëria nuk hyn as në 10 kombësitë me kriminalitetin dhe arrestimet më të mëdha në Holandë.

Ish ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch ishte nga ata holandezë që u çudit me miratimin e mocionit për rikthimin e vizave. Bosch tha se mediat ia kanë nxirë emrin Shqipërisë të pabazuar në fakte, ose në fakte tërësisht të gabuara.

“Statistikat holandeze tregojnë që krimi nga shqiptarët është vetëm 0.2%. Edhe më pak se 0.2%. Pra, nuk është asgjë me rëndësi. Dhe nuk janë as vetëm krimet e rënda, por të gjitha, edhe të voglat. Nga këto 0.2%, krimet e rënda duhet të jenë edhe më pak. Sigurisht që është problem, por problem shumë i vogël. Po të shohësh kombësitë e para në listë, shqiptarët nuk dalin fare aty. Si mund të thuash që po destabilizojnë vendin, pa u bazuar në asgjë. Nëse je një deputet normal në Holandë, sigurisht që mund të trembesh. I besojnë më shumë gazetës sepse nuk duan të shihen si të dobët kundër krimit. Prandaj njerëzit që nuk ishin dhe aq të bindur për ta votuar, votuan gjithsesi. Por gazeta të tjera, sidomos Telegraf, ka bërë shumë propagandë kundër shqiptarëve, prej kohësh.” – tha Robert Bosch.

Skip to toolbar