Erdogan: S’po bëjmë masakër civile

AKTUALITET


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u është përgjigjur akuzave të faktorit ndërkombëtar, se aksioni ushtarak turk në Siri po kryen masakra ndaj popullsisë civile. Erdogan, siç raporton Anadolu Agency, deklaroi në një takim të partisë së tij në Ankara, se Turqia nuk kryen sulme ndaj civilëve, pasi sipas tij nuk është në natyrën e kombit turk dhe besimit islam.

“Turqia në asnjë periudhë të historisë së saj nuk ka kryer dhe nuk do të kryejë masakër civile. Sepse këtë nuk na e lejon as besimi, as kultura dhe as morali ynë. Shpifjet për ‘masakër civile’ janë materiali më i rëndësishëm për fushatën që kryhet kundër Turqisë”, theksoi Erdoğan.


Sipas Erdogan, “është historia e atyre që akuzojnë Turqinë për kyerjen e masakrave dhe që jan vetë plotë me masakra të tilla”. “Nëse doni të shikoni masakër civile, shikoni Afganistanin, Arakanin, Malësinë e Karabakut në Kaukaz apo Bosnjën në Ballkan. Nëse doni të shikoni masakër civile, kaloni para pasqyrës dhe shikoni gjakun e të pafajshmëve që janë lyer në duart tuaja vonë në shekullin e kaluar dhe në këtë shekull”, tha Erdoğan, duke përmendur edhe vende të tjera: “Nëse doni të shihni masakra civile, shikoni Qipron para ndërhyrjes së Turqisë, shikoni Palestinën pikërisht nën hundën tuaj, ku muslimanët vriten qëllimisht nëpër rrugë”, shtoi ai.

Erdogan e justifikoi aksionin e 9 tetorit në veri të Sirisë, si fushatë për pastrimin e territorit nga terroristët, duke i hapur rrugën kthimit të popullit sirian në shtëpitë e tyre.  “Turqia në historinë e saj nuk është ulur asnjëherë në një tryezë me ndonjë organizatë terroriste dhe për këtë nuk kërkojmë ndërmjetës. Turqia ka përvojën dhe mendjeprehtësinë që nuk mund të bëhen bisedime me terroristët por edhe nëse bëhet nuk do të ketë kuptim dhe rezultat. Propozimi ynë është që sonte menjëherë terroristët të dorëzojnë armët, të prishin kurthet që kanë ngritur dhe të largohen nga zona e sigurtë”, është shprehur ndër të tjera Erdogan.

Deklarata e Erdogan vjen një ditë para vizitës në Turqi të zëvendëspresidentit të SHBA Mike Pence, që do të zhvillohet të enjten. Numri dy i Shtëpisë së Bardhë do të shoqërohet nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo në takimin që do të zhvillojnë me Erdogan në Ankara. “Ankaraja dëshiron të pastrojë Sirinë veriore në lindje të lumit Eufrat nga PKK-ja terroriste dhe dega e saj siriane, PYD/YPG”, shkruan Anadolu Agency.




Skip to toolbar