Hakmerren SHBA, sulm ndaj depove të raketave dhe dronëve iranianë në Hormuz

BOTA


Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ushtarake ndaj objektivave iraniane, pasi presidenti Donald Trump akuzoi Teheranin për shkelje të armëpushimit pas një sulmi me dron ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Sulmi ndodhi të enjten, kur një dron vetëshkatërrues goditi anijen, megjithëse nuk u raportuan viktima apo të lënduar. Incidenti ngriti shqetësime serioze për sigurinë në një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë dhe detyroi autoritetet amerikane të planifikonin evakuimin e mbi 11 mijë marinarëve që ndodheshin në rajon.

Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane goditën depo raketash dhe dronësh, si dhe pozicione radarësh bregdetarë, që sipas saj përdoreshin nga forcat iraniane. Në deklaratë thuhet se sulmet ishin një përgjigje e fuqishme ndaj agresionit kundër transportit tregtar dhe se veprimet e Iranit përbëjnë shkelje të qartë të marrëveshjes së armëpushimit të arritur mes dy vendeve.

Pak çaste para njoftimit për operacionin ushtarak, presidenti Trump, i pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse SHBA-të do të kundërpërgjigjej, deklaroi shkurt: “Do ta shihni”. Ai shtoi se Irani nuk duhej të kishte ndërmarrë sulmin dhe e cilësoi veprimin si të papranueshëm.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më strategjikë për tregtinë botërore të naftës dhe gazit. Pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit në fund të muajit shkurt, lundrimi në këtë zonë u kufizua ndjeshëm, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës dhe vonesa në transportin e mallrave të rëndësishme ndërkombëtare.

Më 17 qershor, Uashingtoni dhe Teherani kishin arritur një memorandum mirëkuptimi me 14 pika për t’i dhënë fund përplasjes, ku Irani ishte zotuar të garantonte kalim të sigurt dhe pa tarifa për anijet tregtare për një periudhë 60-ditore. Megjithatë, sulmi i fundit ndaj anijes tregtare ka vënë në pikëpyetje zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Administrata amerikane ka paralajmëruar se do të vazhdojë të mbrojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe të sigurojë kalimin e anijeve tregtare.

Ndërkohë, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ende zyrtarisht ndaj sulmeve amerikane, ndërsa mbetet e paqartë nëse kjo përballje do të mbetet një operacion i izoluar apo do të shënojë fillimin e një faze të re të tensioneve ushtarake në rajon.



Skip to toolbar