Sulmin ndaj makinës së tij personale analisti Fatos Lubonja e cilësoi një akt vandal dhe urrejtje për shkak të deklaratave të forta që ai bën ndaj politikanëve. Lubonja tha se ky ishte sulmi i dytë që i bëhej makinës së tij, ku i pari u justifikua se ishte një person me probleme mendore, ndërsa për sulmin e dytë akuzoi si nxitës të kësaj urrejtje kryeministrin Rama me deklaratat që ai bën shpesh për televizionet dhe analistët e ftuar në studio të ndryshme.
Lubonja tha se kjo gjuhë e kryeministrit nxit urrejtjen duke bërë që persona të ndryshëm të bëjnë sulme të tilla, ndërsa tha se analistët nuk ruhen nga shteti apo me truproje. Për Lubonjën këto sulme e rikthejnë vendin në kohë të errëta.
“Di që u ktheva nga Italia më 1 në darkë dhe e gjeta makinën të dëmtuar mbrapa rëndë, thyer xhamat, që dukej e qëllimshme se nuk kishte ndonjë vjedhje. Ishte një akt vandal, akt urrejtje nga dikush. Në incidentin e korrikut u tha se ishte një me probleme të shëndetit mendor… Ai është i arrestuar. Nuk do të jetë ky. Pistat janë të shumta, por mua pista më çon te një urrejtje për qëndrimet politike. Kryeprotagonisti i kësaj klime urrejtje është kryeministri, që del aty e thotë ‘ndiqeni analistin’. Një nga këta analistë jam edhe unë. Unë e marr si akt kërcënimi. Ne nuk jemi me bodyguard, nuk na mbron shteti, për ato që themi mund të shkojmë dhe në gjyqe. Këto janë akte vandale, që të kthejnë në kohët e errëta” tha Lubonja në News 24.
Makina e analistit Fatos Lubonja u sulmua nga persona të paidentifikuar gjatë natës së ndërrimit të viteve në qendër të Tiranës ku gjendej e parkuar. Makina e tij është sulmuar dy herë në harkun kohor të pak muajve, ndërsa autorit i sulmit të parë ishte një person me probleme mendore, për të cilin u dha dhe masa arrest me burg.