Aksioni për sigurinë ushqimore ka çuar në bllokimin e 27.6 tonë mish pule të ardhur nga Brazili, ndërsa dy biznese janë mbyllur nga AKU dhe 3 biznese janë gjobitur me një shumë prej 3.5 milionë lekë gjobë. Aksioni u zhvillua në qarkun Korçës, Fierit dhe Shkodrës , ku AKU ushtroi kontrolle në 3 subjekte, me aktivitet “Prodhim, përpunim, ambalazhim, etiketim të salcave të ndryshme dhe produkteve me origjinë të përzier”, “Supermarket” dhe “Njësi prodhim, tregtim buke dhe Mëngjesore”.
AKU konstatoi një ushtrim aktiviteti i palicencuar, që punonte në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, me mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit, tregtim i produkteve me afat përdorimi të kaluar, si dhe etiketim i produkteve jo konform ligjit. Ndërsa në Durrës u ushtrua kontroll në një ngarkesë me sasi totale 27 ton “mish pule” me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë, e cila rezultoi me mangësi në dokumentacionin shoqërues (pavlefshmëri të certifikatës veterinare).
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative: 10 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 3.5 milion lekë për 3 subjektet, “Ndërprerja e aktivitetit” për 2 subjekte, si dhe “Bllokim i produktit” për 27.642 ton produkte të pasigurta , ku 27 ton produkt “mish pule” nga Brazili me mangësi në dokumentacion, për të cilat u vendos kthimi në vendin e origjinës, si dhe 642 kg produkte me afat përdorimi të kaluar dhe etiketim jo konform ligjit të konstatuara brenda territorit.