Akuzave të opozitës se Agim Kajmaku, kryebashkiaku i Vorës, dhe Jorgo Toto, i arrestuar dhe kërkuar për falsifikim parash në Greqi janë i njëjti person, do u japin përgjigje gjurmët e gishtërinjve. Prokuroria e Përgjithshme ka administruar gjurmët e gishtërinjve të kryebashkiakut të sapozgjedhur të Vorës, Agim Kajmaku, i cili i ka dhënë ato në njësinë e dekriminalizimit.
Prokuroria ka marrë në dorëzim edhe dokumentet dhe provat që Partia Demokratike zotëron ndaj Agim Kajmakut si dhe është në pritje të letërporosisë dërguar autoriteteve greke për marrjen e dosjes së plotë dhe informacioneve nga homologët e tyre në shtetin helen.
Prej disa ditësh, Partia Demokratike ka dalë në deklarata për shtyp thuajse çdo ditë, ku akuzon dhe publikon dokumente e foto, që sipas saj, Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njëjti person.
Pas publikimit të numrit të pasaportës Z 0148497 të Jorgo Totos nga sistemi TIMS me të cilin është arrestuar, ka publikuar edhe numrin e pasaportës të Agim Kajmakut nën emrin e Jorgo Toto me po të njëjtin numër. PD gjithashtu ka publikuar edhe fotot e pasaportës së Agim Kajmakut dhe Jorgo Totos që kanë në pasaportë ku vihet re se është i njëjti person.
Kajmaku i ka hedhur poshtë të gjitha këto detaje duke deklaruar se ai nuk është arrestuar asnjëherë dhe kjo është e vërteta e vetme. Do të jetë prokuroria që do i jap përgjigje kësaj çështje duke përcaktuar përmes gjurmëve të gishtërinjve nëse ato të Agim Kajmakut janë të njëjta apo jo me ato të Jorgo Totos, të arrestuar në Greqi.