Alban Hoxha nuk do që Tirana të rrëzohet në Kategorinë e Parë, por pavarësisht kësaj, ai kërkon që nesër Partizani të fitojë takimin në derbi dhe të festojë titullin kampion. Portieri i të kuqve ka folur për shumë tema, duke iu përgjigjur gazetarëve në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me rivalët e përjetshëm.
FITORE DHE FESTA E TITULLIT NESËR – Nuk do kishte gjë më të bukur se të fitojmë titullin në derbi. Kaq shumë vite pritje, një sezon i gjatë, lodhje, stres, tani erdhi momenti i madh, ku mund të fitojmë trofeun. Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, nuk ka mbaruar.
DERBI I VEÇANTË – Çdo derbi është i veçantë, kam kaq vite te Partizani, kemi qenë afër titullit edhe më parë, por këtë radhë është ndryshe. Është derbi i veçantë sepse fitorja na shpall kampionë, kaq qenë një pritje shumë e gjatë. Në 6 vitet e mia, ky do jetë derbi më i bukur.
TIRANA NË KATEGORINË E PARË – Janë përralla gazetash, nuk e mendojmë fare dhe nuk duam që Tirana të bjerë. Për ne dhe për mua Tirana është mirë të qëndrojë në Superligë, ashtu si duhet të kthehet edhe Dinamo, për shembull. Derbi mbush stadiumin dhe ndez interesimin e medias, ndërkohë që edhe lojtarët vitrinë perfekte për të ardhmen kanë derbin. Nuk dua të bëj show këtu, mendimi im është që Tirana është mirë të mos bjerë.
TIFOZËT, NJË THIRRJE PËR TA- U premtoj thjesht që do japim maksimumin për të fituar dhe festuar së bashku, i presim në stadium. Ne duam titullin, për të gëzuar tifozët, pastaj si do vijë titulli nuk ka shumë rëndësi.
PENALLTI PËR PARTIZANIN – Do ishte një gjë shumë e bukur dhe do dilte diçka e bukur për të gjithë, por është surprizë.
MORALI NË EKIP- Duam të qëndrojmë me këmbë në tokë, jemi shumë të qetë dhe nuk fluturojmë. 10 pikë larg Kukësit na e japin këtë qetësi dhe do luajmë thjesht.
RENDITJA- Kemi pasur rivalë Kukësin dhe Teutën për një kohë të gjatë, por ne ruajtëm vazhdimësi dhe kemi bërë më pak gabime. Ka pasur goxha rivalitet, por ne rezistuam më gjatë.
PARAGJYKIMET – Nuk kemi pasur kurrë probleme të tilla, akuza për fitore me arbitra apo paragjykime. Është diçka e mirë, na ka dhënë qetësi dhe nuk merremi me asnjë akuzë, as me arbitrat nuk jemi marrë dhe nuk na ka ngacmuar askush”.