Derbi me Tiranën, Gega: Ndeshje radhe, duam të festojmë nesër!

SPORT


Skëndet Gega, i shoqëruar nga portieri Alban Hoxha, kanë folur në konfernecë për shtyp një ditë para ndeshjes derbi me Tiranën. Trajneri i të kuqve ka analizuar situatën në ekipin e tij, duke u shprehur se nesër do fitoren, për të festuar titullin kampion bashkë me tifozët që do të vijnë nga i gjithë vendi.

NDESHJA NESËR – Është ndeshje radhe, por tashmë ka ardhur fundi dhe shpresojmë t’ia dalim në derbi, për të mbyllur me sukses gjithë këtë rrugëtim të gjatë. Kemi luajtur 3 derbi, kemi marrë 7 pikë, ndaj nuk është ndonjë ndeshje që do ndonjë përgatitje të veçantë, skuadra e di vetë sa vlerë ka.


SITUATA TE TIRANA – Tirana e di vetë punën e vet, nuk është detyra jonë të analizojmë Tiranën. Është gjë e madhe që tifozët nuk kanë humbur shpresa, uroj t’i gëzojmë, sepse nuk na janë ndarë kurrë. Është një 90-minutësh ku nuk i dihet asgjëje, por kemi shpresën se do të mbushet stadiumi dhe do të festojmë të gjithë bashkë.

MUNGESAT – E vërtetë, na mungojnë 3 lojtarë me kontribut të jashtëzakonshëm, por për fat pjesa tjetër e ekipit ka treguar gjithnjë se di t’i zëvendësojë mungesat. Nesër është diçka tjetër, natyrisht, por e kemi përgatitur ashtu si dimë ne, me filozofi të njëjtë. Asani, Mensah e Telushi janë lojtarë të rëndësishëm, por do të mundohemi t’i zëvendësojmë.

FESTA E TITULLIT NË DERBI – Do doja të ishte ashtu, sepse jam i sigurt që do vijnë tifozë nga e gjithë Shqipëria. Jemi munduar të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, nesër është ndeshja jonë, jemi pritës dhe do ndizet stadiumi. Gjithsesi, ekipi është me këmbë në tokë, e di që kampionati nuk ka mbaruar, por do të bëjmë gjithçka për të festuar që nesër.

PARAGJYKIMET NËSE PARTIZANI MUNDET NË DERBI – Nuk i kemi ne në dorë. Vetëm Zoti nuk paragjykohet, njerëzit paragjykohen gjithmonë. E rëndësishme është ta kemi ndërgjegjen të pastër. Edhe në Champions League shohim surpriza të mëdha, uroj që të mos na ndodhë ne. Derbi është gjithnjë ndeshje e veçantë, ku renditja nuk ka rëndësi. Duam të jemi të qetë dhe të pastër në mendjen tonë, kaq.

MUNGESA E SHËNUESVE MË TË MIRË – Mungojnë shënuesit më të mirë, por pak rëndësi ka kush shënon, mund të shënojë edhe Alban Hoxha nesër, varet nga situata. Shpresoj të mbarojmë punë, nuk ka rëndësi, me penallti, me goditje këndi a ç’të dalë. Jam krenar për këtë ekip, për këtë klub, kemi luajtur Fair-play dhe kemi qenë seriozë gjithë sezonin.

TIRANA NËN PRESION – Nuk e di, unë uroj që presioni të jetë sa më i vogël te skuadra ime.

MERITA PËR TITULLIN Nëse e mbyllim sezonin me sukses, uroj të takohemi dhe të bëjmë një konferencë shumë të gjatë. Duhet të jemi modestë dhe me këmbë në tokë, duke respektuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për Partizanin Gaz Demi e ka shpirtin e madh, një xhentëlmen, dhe jam i sigurt që nëse do vijë titulli nesër, torta do jetë e madhe dhe çdokush mund të marrë një fetë.

MEMA I FTUAR NË FESTË – Nuk kemi bërë ftesë për askënd, të mbarojmë ndeshjen një herë, pastaj festa do jetë e hapur për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut te Partizani.

PEZULLIMI – Nuk ka qenë një problem, unë jam me ekipin deri në momentin që futen në fushë për ndeshjen. Skuadra e di mirë çfarë duhet të bëjë, e di çfarë jep në fushë dhe stafi im është i shkëlqyer, nuk kemi probleme.

E ARDHMJA E BELICËS – Kam lexuar për atë dhe Asanin, për sot janë të Partizanit, më pas nuk e di çfarë do të ndodhë. Të mbyllim kampionatin me sukses, kjo ka rëndësi, pastaj të shohim. Nuk kam propozuar asnjë futbollist deri tani, sinqerisht, sepse duam të fitojmë titullin, pastaj ka kohë për merkaton dhe janë normale të gjitha zërat. Të mbyllim sezonin dhe pastaj urgjentisht do merremi me merkaton.




Skip to toolbar