Albi Xhunga: Disa të vërteta rreth integrimit europian

Më të fundit


Refreni i zyrtarëve shqiptarë për çështjen e integrimit është: ‘’Shqipëria i ka plotësuar kushtet, përfshi kushtet shtesë aq shumë të diskutuara në Tiranë, por Brukseli nuk po e mban fjalën dhe hapja e negociatave po mbetet peng i problemeve të brendshme të Bashkimit Europian’’. Kjo është një e vërtetë e pjesshme, ose thënë ndryshe gjysma e së vërtetës. Kushtet shtesë të vendosura ndaj Shqipërisë për të kaluar fazën e hapjes së negociatave janë përmbushur sipas vlerësimit të Komisionit Europian, që është edhe organi i vetëm që ka tagrin të bëjë një vlerësim në nivel europian. Por pas çdo faze në rrugën e integrimit shtetet ruajnë të drejtën e validimit ose jo të vendimeve të Komisionit Europian dhe për disa prej tyre, shteteve skeptike si Franca apo Hollanda, rezultatet në sferën e zbatimit të ligjit dhe betejës ndaj pandëshkueshmërisë nuk janë ende në nivel të kënaqshëm, për sa kohë steka e drejtësisë së re ende nuk është ngritur në nivele të larta të ekzekutivit të shkuar dhe atij aktual. Gjykata Kushtetuese ende nuk ka mundur të tregojë se funksionon dhe se funksionon me integritet. Çështjet e nxehta janë ende mbi tavolinë dhe pritet shqyrtimi. GJK-së i mungojnë tre anëtarë, përfshirë zëvendësimin e Viktore Tushës dhe këta tre anëtarë që mungojnë janë ata anëtarë që vijnë nga brenda sistemit dhe që sipas konceptimit të reformës në drejtësi, janë pikërisht këta tre anëtarë që nuk emërohen nga politika ata të cilët do të vendosin profesionalisht se nga do të anojë balanca, duke ulur kështu rolin e të emëruarve politikë. Pra e vërteta është se Shqipëria ka bërë përparim aq sa për të bindur burokratët e Komisionit, por jo aq sa për të bindur edhe shtetet skeptike, të cilët i tmerron ideja e antarësimit të shteteve me korrupsion të lartë e me drejtësi të dobët, çka do të shtonte problemet që ka BE-ja sot me shtetet autokrate e të korruptuara të lindjes. 

Përveç shteteve si Bullgaria dhe Rumania që gëlojnë nga korrupsioni, por që gjithsesi nuk dalin në skenë, zbatojnë vendimet e Unionit dhe nuk u shkaktojnë shumë kokëçarje zyrtarëve në Bruksel, BE-ja ka probleme serioze me shtetet autokrate që po rrëshkasin gjithnjë e më shumë drejt së djathtës ekstreme si Hungaria dhe Polonia, të cilave po iu bashkohet edhe Sllovenia. Ngjarja e fundit me planin e ndihmës prej 750 miliardë eurosh për daljen nga kriza pandemike tregoi se BE-ja ka probleme serioze në gjirin e saj dhe se nuk disponon mekanizma të mjaftueshëm për të disiplinuar shtetet e pabindura e me drejtësi të kapur. Miratimi i ndihmës prej 750 miliardë ishte një nga rastet e rralla në gjirin e BE-së ku votimi pro ishte unanim. Mirëpo katër muaj pas këtij votimi Hungaria dhe Polonia bllokuan procesin. Shkak u bë një kusht i shtuar nga Komisioni Europian, sipas të cilit vendet nuk mund të përfitonin nga kjo ndihmë nëse nuk respktonin shtetin e së drejtës. Pra ndonëse Polonia ishte vendi që përfitonte më shumë nga ndihma europiane, ky shtet së bashku me Hungarinë që tashmë është bërë e famshme për autokracinë e brendshme dhe rebelimin e herëpashershëm ndaj Brukselit, bllokuan procesin. U desh kërcënimi i liderëve të fuqishëm europianë, të cilët thanë se ky plan masash do të zbatohej duke shmangur strukturat e BE-sw, me qëllim që të liheshin jashtë dy shtetet rebele, çka bëri që Hungaria dhe Polonia të ulnin kokën e të viheshin në rresht. 

Pra BE ka shumë pak mekanizma për të ndëshkuar shtetet rebele, apo ato autokrate që nuk respektojnë shtetin e së drejtës. Njëri nga mekanizmat kryesorë është artikulli 7 i Traktatit të Amsterdamit, i cili parashikon heqjen e së drejtës së votës për këto shtete. Por që kjo procedurë të funksionojë, duhet që të gjitha shtetet e tjera të votojnë unanimisht pro. Mirëpo megjithëse kjo procedurë ka nisur që në vitin 2016 për Hungarinë dhe në vitin 2018 për Poloninë, procedura mbetet e bllokuar pasi këto dy shtete vendosin veton për të mbrojtur njëri-tjetrin. Ndaj sot në BE ekziston frika se nëse do t’i jepet prioritet gjeopolitikës dhe do të afrohen shtete që nuk janë gati, vetëm e vetëm për të mos u lënë hapësirë fuqive rivale si Rusia dhe Kina, atëherë aleatët e kryeministrit autokrat, Viktor Orban, do të shtohen dhe kjo do të afektonte negativisht funksionimin e Unionit. 

Penalizohemi apo avantazhohemi nga gjeopolitika ?

Gabimi i djeshëm i BE-së me antarësimin e vendeve të lindjes, të cilat nuk ishin gati, ishin shtete me korrupsion endemik, me drejtësi të korruptuar e të kapur totalisht nga politika, ku lulëzonte pandëshkueshmëria penalizon të ardhmen e politikës së zgjerimit. Thuhet shpesh ‘’gabimi i BE-së’’, por harrohet të përmendet se ky ishte një gabim i vetëdijshëm i zyrtarëve europianë. Shkëputja e vendeve të lindjes nga influenca ruse prevalonte mbi përmbushjen e standardeve. Gjeopolitika fitoi mbi parimet dhe për këtë Brukseli ishte plotësisht koshient.

Pak a shumë në të njëjtën situatë gjendet BE edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm që Rusia është rikthyer si aktor i dorës së parë në skenën e përplasjeve gjeopolitike të fuqive të mëdha, por tani në skenë kemi edhe një aktor tepër të fuqishëm si Kina, e cila po rivalizon Perëndimin në çdo cep të globit, përfshirë mes vetë shteteve anëtare të Bashkimit Europian, duke joshur jo vetëm shtetet autokrate të lindjes, por edhe shtete me probleme ekonomike si Greqia dhe Italia, ku prezenca kineze është shtuar ndjeshëm. Tani BE-ja në raport me Ballkanin Perëndimor gjendet përballë së njëjtës situatë të periudhës së antarësimit të shteteve të korruptuara e autokrate lindore. Edhe tani dilema është e njëjtë; ose këto shtete duhet të afrohen në Union, duke mbyllur njërin sy për mungesën e shtetit të së drejtës, nivelit të demokracisë, lirisë së shtypit, etj., ose këtyre shteteve iu duhet mbyllur dera deri në përmbushjen e standardeve, me riskun e joshjes së tyre nga faktorë rivalë gjeopolitikë që janë tashmë prezentë në rajon. 

Këtu duhet bërë një ndarje, pasi jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në të njëjtën fazë në rrugën e tyre drejt antarësimit të plotë dhe trajtimi i tyre nuk ka qenë i barabartë. Nga njëra anë kemi Malin e Zi dhe Serbinë, të cilave iu janë hapur negociatat respektivisht në vitet 2010 dhe 2012, dhe nga ana tjetër kemi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të cilat presin pas portës së mbyllur. Nëse do t’iu besojmë raporteve ndërkombëtare për shtetet e rajonit, është e vështirë të kapërdihet ideja se zbatimi i ligjit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës janë më të avancuara në Malin e Zi dhe në Serbi, sesa në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Diferencimi në trajtimin e tyre mund të shpjegohet vetëm nga arësye gjeopolitike. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria penalizohen sepse nuk kanë influence ruse e kineze dhe se nuk kanë plane B jashtë politikave perëndimore. 

Maqedonia e Veriut është një shtet i brishtë me disa etnitete brenda saj, ku shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm, të cilat në të kaluarën e afërt kanë prodhuar tensione e deri luftë mes tyre. Kjo bën që Maqedonia e Veriut ta ketë jetike aleancën me Perëndimin dhe garancinë amerikane, pa të cilën rrezikon deri ekzistencën e saj si shtet. Për këto arësye Maqedonia e Veriut nuk e ka luksin që, nëse Europa nuk e kënaq, të shikojë faktorë të tjerë jashtë saj, siç bën Serbia për shembull me marrëdhëniet e saj të ngushta me Rusinë e me hapjen dykanatëshe të portave për investimet kineze. 

Shqipëria nga ana tjetër është një shtet me vokacion të qartë pro perëndimor. Në ndryshim me Serbinë dhe me Malin e Zi, Shqipëria nuk ka forca politike anti-perëndimore dhe orientimi strategjik nuk rrezikohet nga mundësia e marrjes së pushtetit prej tyre. Asnjë forcë politike në Shqipëri nuk mund të faktorizohet pa një vokacion të qartë pro-perëndimor  Kjo bëri që zv.ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, të deklaronte para pak kohësh se Shqipëria është një target i paarritshëm për Rusinë. 

Mirëpo situatat më të dyzuara gjeopolitike në Malin e Zi dhe në Serbi dhe besnikëria e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndaj Perëndimit ironikisht kanë penalizuar shqiptarët dhe maqedonasit. Brukseli, duke parë rrezikun e devijancës gjeopolitike të Beogradit dhe Podgoricës, i ka favorizuar këto dy shtete, duke qenë me ortodoks në kërkesat ndaj tyre dhe shumë më i ashpër ndaj Shkupit dhe Tiranës. 

Duke marrë në konsideratë faktet e renditura më sipër, faktorët gjeopolitikë e favorizojnë në kontekstin e përgjithshëm Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij drejt antarësimit në BE, por ironikisht besnikëria jonë ndaj Perëndimit dhe fakti që nuk kemi  një plan B më shumë na penalizon, pasi Brukseli nuk sheh ndonjë risk të rrëshqitjes së Shqipërisë nën influencat e fuqive rivale. 

Ndikimi i faktorëve të brendshëm të BE-së në penalizimin e Shqipërisë

Shpesh na thuhet nga zyrtarët tanë se ne i kemi bërë detyrat dhe se nëse porta na përplaset në fytyrë, kjo lidhet më së shumti me problemet e brendshme të atyre anëtarëve të BE që na rrefuzojnë. Edhe kjo është një e vërtetë e pjeshme, ose thënë ndryshe gjysma e së vërtetës.

Po të merren në konsideratë të gjitha situatat e brendshme të vendeve anëtare të BE-së dhe ndikimi i këtyre situatave në politikën e zgjerimit dhe penalizimin e shteteve si Shqipëria, formati i një shkrimi gazete thjesht nuk mjafton. Por situata e brendshme politike në Francë, një nga dy vendet lokomotivë të Unionit dhe ndikimi i saj në politikën e zgjerimit të BE-së do të na jepte një panoramë të qartë të ndikimit të këtij faktori në pengimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian. 

Viti që vjen do të jetë një vit elektoral në Francë. Në prill francezët do të zgjedhin presidentin e ri, ndërsa në qershor do të zgjedhin edhe Asamblenë Kombëtare, apo thënë ndryshe Parlamentin. Politikat e zgjerimit dhe problemet që ka sot BE-ja janë një mollë sherri e vazhdueshme në politikën franceze. Në sondazhet e opinionit publik francez euroskepticizmi është në rritje. Ndërsa për sa i përket zgjerimit të Unionit, një sondazh i marsit të vitit të kaluar tregon se 58 përqind e të anketuarve janë shprehur kundër zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kjo shifër prezanton një masë të madhe votuesish potencialë, të cilët do të mund të afektohen edhe nga tema e zgjerimit kur të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.  Kjo ka sjellë edhe qëndrimin kryesisht rrefuzues të presidentit Makron ndaj zgjerimit. Ideja e tij e shprehur në Samitin e Sofjes në vitin 2018 se BE-ja duhet së pari të thellohet (reformohet) e pastaj të shohë drejt zgjerimit, tronditi partnerët e tij europianë. Thënë kjo nga një pro-europian i thekur si presidenti Makron, nuk mund të shihet ndryshe perveçse e lidhur me kalkulime elektorale. Ai është shprehur gjithashtu për një reformim të procedurave të zgjerimit. Ndërsa vetoja franceze e 17 tetorit 2019 ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u pa nga analistët në Francë si një lëvizje e presidentit e lidhur vetëm me kalkulime të brendshme. Duke qenë se përgjatë pjesës së parë të mandatit të tij pesëvjeçar Emanuel Makron mendonte se e kishte dëmtuar mjaftueshëm të majtën franceze, në pjesën e dytë të mandatit ai po përdorte temat e së djathtës, jo vetëm asaj ekstreme të përfaqësuar nga Fronti Nacional i Marine Le Pen, por edhe të së djathtës klasike republikane, të cilat janë skeptike ndaj zgjerimit. Para së gjithash një politikan ka primare rizgjedhjen e tij.

Pra e vërteta është se problematikat e brendshme të shteteve europiane i penalizojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, por megjithëse qëndrimet janë shpesh tendencioze, argumentet që japin skeptikët kryesisht qëndrojnë. Duhet pranuar se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë standardet e kërkuara nga BE-ja. Duke qenë vende me korrupsion të lartë, me sisteme drejtëie jo funksionale dhe me pandëshkueshmëri epike, ato iu furnizojnë mjaftueshëm argumente shteteve skeptike, megjithëse ky skepticizëm nuk është i lidhur vetëm me plotësimin e standardeve. 

Lodhja nga pritja dhe drita në fund të tunelit

Shqiptarët dhe maqedonasit presin me durim hapjen e negociatave. Megjithëse ky është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit, duhet thënë se pjesa e mbetur është jashtëzakonisht e gjatë. Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur negociatat një dekadë më parë, por ngadalësia e hapjes së kapitujve prej tyre nuk ka sesi të prodhojë entuziazëm në popullsitë e Ballkanit Perëndimor. Ky ritëm tejet i ngadaltë bën që ëndrra europiane të mos jetë e prekshme për qytetarët e Ballkanit, ndaj shumë prej tyre zgjedhin të shkojnë vetë në Europë në vend që të presin Europën t’u vijë në shtëpitë e tyre. 

Në rastin e Shqipërisë situata mund të ndryshojë me një shpejtësi që ne as nuk e kemi ëndërruar. Në rast suksesi të reformës në drejtësi (shenjat janë të mira) dhe të arritjes së një realiteti me politikanë të lartë të ndëshkuar dhe me vendimmarrës që kanë frikë nga ligji, ne do të mund të bëjmë vërtet një hap gjigand drejt rrugës europiane. Nëse Shqipëria do të arrinte të bëhej një shtet me drejtësi funksionale, do të parakalonte me shpejtësi jo vetëm vendet e rajonit, por do të pozicionohej më mirë edhe se disa shtete anëtare të BE-së kryesisht të korruptuara e me sistem drejtësie të kapur. Kjo do të shkurtonte ndjeshëm pjesën e mbetur të rrugës drejt BE-së dhe do ta bënte realisht të prekshme ëndrrën europiane për qytetarët shqiptarë. 



Skip to toolbar