Albi Xhunga: E drejta e fjalës

OPINION


‘’Nuk jam dakort me atë që ti thua, por do të luftoj deri në frymën e fundit që ti të kesh të drejtën ta thuash.’’

-Voltaire


Mbyllja përgjithmonë e llogarisë së Twiter dhe në disa rrjete të tjera sociale si Facebook, Snapchat etj,  për presidentin Donald Trump ka krijuar debate të forta në arenën ndërkombëtare mbi rolin e këtyre platformave në përhapjen apo censurimin e publikimeve që nxisin dhunë, urrejtje, racizëm.

Llogaria e presidentit Trump u bllokua fillimisht 12 orë me arsyetimin se është dhunuar rëndë dhe në mënyrë të vazhdueshme politika e integritetit të platformës. Ky bllokim nga i përkohshëm u shndërrua në të përhershëm dhe Twiter e argumentoi vendimin e tij me riskun që paraqet kjo llogari e presidentit Trump për të nxitur dhunë edhe në të ardhmen.

Shumëkush e ka duartokitur këtë vendim të platformave sociale pas nxitjes nga presidenti Trump të protestës së dhunshme në Capitol Hill. Por kritikat nuk kanë munguar. Nëse për përkrahësit e këtij vendimi rrjetet sociale kanë përgjegjësi për publikimet që përmbajnë elemente urrejtje e diskriminimi dhe kanë detyrimin të reagojnë, kritikët mendojnë se në këtë mënyrë rrjetet sociale fitojnë një ndikim të madh në lirinë e shprehjes.

Presidentit Trump i dalin në mbrojtje ‘’armiqtë’’ e tij europianë

Për kalcelaren gjermane, Angela Merkel, mbylja definitive e llogarive të presidentit Trump është problematike. Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, gjatë një konference për shtyp deklaroi se: ‘’Është e mundur të interferosh në lirinë e shprehjes, por sipas kritereve të përcaktuara qartësisht nga ligjvënësi dhe ky nuk mund të jetë vendim i një drejtori firme.’’ Qeveria gjermane ka nënvizuar gjithashtu faktin se liria e shprehjes është një e drejtë themelore e njeriut.

Në të njëjtën linjë me kancelaren Merkel është edhe ministri francez i ekonomisë Bruno Le Maire. Sipas tij rregullimi i gjigandëve numerikë nuk mund dhe nuk duhet të bëhet nga vetë oligarkia numerike.

Facebook i Sali Berishës dhe konteksti shqiptar

Në qoftë se ka një fushë ku hapësira shqipfolëse mund të konsiderohet një bordell i vërtetë është interneti, përfshirë të gjitha platformat sociale. Mashtrime, fyerje, nxitje racizmi e urrejtje, reklama prostitucioni, tipa që të japin 4 ndeshje të sigurta kundrejt pagesës, etj. Në rrjetet tona sociale ndodh pothuaj çdo gjë. Mund të thuhet pa e tepruar se shteti shqiptar nuk ka asnjë kontroll mbi kët hapësirë kaq të rëndësishme për jetën e njerzve në kohët moderne.

Në SHBA sot ekziston sot një profesion i quajtur dedektiv interneti. Në të gjitha shtetet e zhvilluara ka një polici interneti, pasi në kohën që jetojmë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë është online.

Natyrisht që lufta ndaj kundravajtjeve dhe krimeve në internet ka një vështirësi të theksuar. Së pari dikush mund të kryejë një mashtrim në Europë ndërkohë që fizikisht ndodhet në Azi. Së dyti kjo duhet rregulluar në mënyrë të qartë me ligj, që kjo polici interneti të mos dhunojë privatësinë e njerëzve pa një vendim gjykate dhe në botën digitale shpesh kufijtë janë fare të padukshëm. Së treti përdoruesi shpesh e fsheh identitetin e tij. Etj, etj, etj.

Mirëpo ka edhe raste ku krimi apo kundravajtja ndodhin botërisht dhe ky nuk është vetëm rasti i presidentit Trump.

Fejsbuku i Sali Berishës ësht sot prej vitesh një katalizator i fuqishëm i çdo lloj diarreje që mbërin në inbox-in e ish kryeministrit dhe ai i publikon ato pa asnjë lloj filtri. Nëse për këto publikime mund të ketë një justifikim të dobët se ashtu ia solli ‘’qytetari digital’’, ai ka edhe diarrenë personale 30 vjeçare që e shpërndan kudo duke ndotur këdo që nuk mendon si ai dhe ambientin në përgjithësi. Rasti i shefes së ONM, Genoveva Calavera, nuk është i vetmi, por është ndoshta i vetmi ku Sali Berishës iu desh të përgënjeshtronte vetveten se ishte ‘’keqinformuar’’ (sepse Çeçua ka biçak).

Por a është e drejtë që, sipas idesë së hedhur nga një televizion, Sali Berishës t’i mbyllet llogaria në Facebook ? Jo.

Sali Berisha është qytetar shqiptar dhe si i tillë ai të drejtën e shprehjes e ka të sanksionuar me ligj, siç është përgjegjës me ligj për çdo gjë që thotë dhe bën. Nëse për shkak të mungesës së pushtetit gjyqësor ai nuk përmbush detyrimet që ka parpara ligjit që prej tre dekadash, nuk është e drejtë t’i hiqet liria e fjalës. Asnjë padrejtësi nuk mund të zgjidhet me një tjetër padrejtësi.

Nëse Donald Trump ka imunitet si president i SHBA dhe gjykatat nuk e prekin dot për sa kohë është në detyrë, Sali Berisha nuk ka asnjë lloj imuniteti.

Të gjithë duhet të kemi të drejtë të shprehemi dhe të gjithë duhet të mbajmë përgjegjësi për ato që themi dhe bëjmë. Censura është një mënyrë e shëmtuar për të zgjidhur problemet.




Skip to toolbar