Lajmi i parë që doli në mediat shqipfolëse nga takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë ishte se Serbia nuk e njohu Kosovën. Pika e fundit e marrëveshjes nuk u pranua nga presidenti Vuçiç, i cili me këtë rrefuzim u del përballë, i menderosur por krenar, zemunëve të popullt të tij që në mungesë të mirëqënies e prosperitetit ushqehen me nacionalizëm bosh e të dalë boje. E megjithatë vetëm fakti që u ul në një tryezë si i barabartë me homologun e tij kosovar tregon realitetin e pakundërshtueshëm se Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur me apo pa njohjen formale të Beogradit.
Një intrepetim simplist i asaj çfarë ndodhi në Shtëpinë e Bardhë nga disa kritikë thotë se marrëveshja ishte një show me ngjyra e pa përmbajtje dhe se kryeministri kosovar u kthye me lugën bosh në Prishtinë. E vërteta është se ajo që u arrit është as më shumë e as më pak se një mrekulli e politikës amerikane.
Kur i ngul sytë në një marrëveshje të tillë pa ngritur kokën të shohësh rrethanat specifike, pa marrë pak distancë për të parë kontekstin gjeopolitik dhe interesat e mëdha që janë në lojë e që reflektohen në të, nuk mund të bësh një interpretim real të saj.
America first
Askush nuk e vë në dyshim natyrën pragmatike të presidentit Trump. Është naive të mendohet se në një kohë kur beteja gjeopolitike është shtrirë në çdo cep të botës dhe në çdo fushë të ekonomisë, administrata Trump të angazhohet fort në një negociatë tepër delikate, me ngarkesa të mëdha emocionale e ku në lojë janë edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të skakierës botërore si Rusia dhe Kina, pa pasur interesa direkte dhe pa nxjerrë përfitim prej saj.
Sot diplomacia amerikane përballet me dy çështje të rëndësisë së parë, ku përveç armiqve, i duhet të përballet edhe me një pjesë të mirë të aleatëve të saj, teknologjia 5G dhe Jeruzalemi si kryeqytet i Izraelit.
Me konkurencën e fortë të kompanisë kineze Huawei, e cila duket të jetë një hap përpara perëndimorëve në teknologjinë 5G, hegjemonia amerikane në botën numerike e për rrjedhojë edhe hegjemonia e saj në botën reale është fort e rrezikuar. Teknologjia 5G duket të jetë sot arma më e fuqishme kineze për të zgjeruar influencën e saj në botë.
Amerikanë i shpallën luftë të hapur kompanisë Huawei, të cilën e konsiderojnë si një kompani shtetërore kineze të varur direkt nga partia në pushtet dhe shtrirjen e rrjetit 5G prej saj si një rrezik për të dhënat strategjike të çdo shteti, sidomos të aleatëve të saj.
Pas privimit të kësaj kompanie nga shërbimet e Google, Amerika po lobon hapur dhe me forcë kundra kompanisë kineze dhe rrjetit të saj 5G, mirëpo si çdo luftë influencash edhe kjo ka komplikimet e veta. Shtete të ndryshme joshen nga çmimet e lira kineze në këtë fushë dhe armiqtë e fshehur të Amerikës mund ta shfrytëzojnë rastin për t’u shkëputur nga varësia numerike amerikane. Mjafton shembulli i Britanisë së Madhe, e cila edhe pas paralajmërimeve amerikane lejoi gjigandin kinez të instalonte 35% të infrastrukturës jo-strategjike të rrjetit 5G për të kuptuar kompleksitetin e kësaj lufte ekonomike. Pas presionit të shtuar amerikan dhe protestës së një numri deputetësh konservatorë, qeveria e Boris Jonson la të kuptohet se do ta ashpërsonte qëndrimin e saj, por sipas specialistëve britanikë të telekomunikacionit heqja totale e pajisjeve të Huawei nga Britania e Madhe duket shumë e komplikuar të realizohet në më pak se 10 vjet dhe përveç kostove të shtuara me dhjetra miliardë dollarë rrezikohet edhe kolapsi i sistemit. Kur politika e jashtme amerikane në raport me rrjetin 5G është kaq e komplikuar me aleatin e saj strategjiko-historik, mund të imagjinohen vështirësitë me vendet e tjera.
Njohja nga SHBA e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit është një çështje aq delikate në politikën botërore saqë deri tani asnjë shtet europian përfshirë aleatët e SHBA-ve nuk e ka ndjekur këtë njohje. Nuk është qëllim i këtij shkrimi të analizojë në ishte e drejtë apo jo kjo lëvizje e administratës Trump, por në asnjë moment nuk mund të vihet në dyshim përkrahja e pakushtëzuar amerikane për shtetin hebre. Ndaj njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga sa më shumë shtete do të jetë padyshim prioritet i politikës amerikanë edhe pas administratës Trump. Nuk duhet harruar se kontinuiteti është një tipar tipik i politikës së jashtme amerikane.
Për arësyet e përmendura më sipër, pranimi i presidentit Vuçiç për të njohur Jezuralemin si kryeqytet të Izraelit dhe rrefuzimi serb ndaj teknologjisë 5G kineze duke premtuar edhe heqjen e pajisjeve që tashmë janë të instaluara në Serbi është as më pak e as më shumë se një mrekulli diplomatike e administratës së presidentit Trump. Të shohësh këtu një marrëveshje me ngjyra e pa përmbajtje thjesht për një show fushate elektorale është as më shumë e as më pak se utopi.
Serbia, vendi ndoshta me anti-amerikan i kontinenitit dhe aleati më i rëndësishëm i Rusisë dhe Kinës në Europë vihet nën shinat e influencës amerikane. Kush nuk e sheh këtë rezultat të dalë nga marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë është së paku i verbër. Angazhimi i Serbisë nw marrjen e njw pozicioni tw qartw nw lidhje me teknologjinë 5G dhe Jeruzalemin nuk i lë shumë hapësirë presidentit Vuçiç të luajë në ujëra neutrale duke përfituar nga të dy krahët siç bënte me sukses paraardhësi i tij Tito.
Të gjithë të fituar
Në ndryshim nga fuqitë e tjera që janë përpjekur të dominojnë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë arritur kësaj me shpërndarjen e modelit demokratik dhe prosperitetit që vjen si rrjedhojë në të gjitha zonat e tyre të influencës. Vietnamezët patën fatkeqësinë të fitojnë një luftë kundra Amerikës, e cila i la dekada të tëra në robërinë komuniste. Por amerikanët mundën të mbajnë nën influencën e tyre (ndër të tjera) gjysmën e Koresë, Japoninë e Gjermaninë, të cilat janë sot nga shtetet më prospere të ruzullit dhe që janë dëshmia më e qartë se çdo vend që dëshiron lirinë dhe demokracinë duhet të rreshtohet nën aleancën perëndimore të udhëhequr nga SHBA-të. Prosperiteti i shteteve nën influencën amerikane dëshmon gjithashtu se Amerika nuk i trajton vendet e dominuara si dikur Europa kolonitë afrikane, por i ndihmon drejt begatisë e përparimit. Nga lufta e dytë botërore e deri më sot Amerika është i vetmi garant i demokracive perëndimore të kërcënuara vazhdimisht nga erërat totalitare që fryjnë nga Lindja.
Me futjen e Serbisë nën influencën amerikane përveç serbëve fitojnë edhe shqiptarët. Një Serbi e pa influencuar nga Moska e Pekini do të kuptojë se shqiptarët janë fqinjë dhe fqinjët duhet të jenë partnerë e jo armiq. Në kontekstin e një Serbie që ecën drejt Perëndimit njohja pres saj e Kosovës bëhet një çështje e natyrshme. Të pretendosh se njohja e Kosovës prej Serbisë është më mirë të bëhet me anë të forcës e të imponimit është dritshkurtësi. Një paqe e imponuar nuk zgjat shumë. Shqiptarët nuk kanë sot nevojë të mendojnë për hakmarrjen e krimeve serbe, por kanë nevojë të ndërtojnë fqinjësi të mirë e bashkëpunim me të gjithë faktorët rajonalë, përfshirë Serbinë. Nuk mund të ecësh përpara duke parë nga e shkuara. E shkuara nuk duhet harruar, por ajo kurrsesi nuk duhet lejuar të kushtëzojë të ardhmen.
Bashkimi Europian sot ka si themel paqen franko-gjermane. Gjermanët e francezët kanë zhvilluar me dhjetra luftëra në histori, të cilat kanë shkaktuar miliona të vrarë. Mirëpo udheheqësit modernë kuptuan se në pamundësi për të ndryshuar realitetin e armikut që e ke edhe fqinj, rruga e vetme që mbetet është paqja e bashkëpunimi. Kjo paqe ka bërë të mundur sot bashkimin ekonomik më të madh të botës. Nëse do të kishin parë vetëm nga e shkuara francezët e gjermanët do të ishin sot duke mprehur bajonetat, e jo partnerë liderë të Bashkimit Europian.
E nëse këtë mundën ta bëjnë dy fuqi europiane historikisht rivale nuk ka përse të mos e bëjnë shqiptarët dhe serbët. Ndaj marrëveshja e firmosur në Shtëpinë e Bardhë duhet të shihet vetëm si një urë paqeje e prosperiteti në Ballkanin Perëndimor që në të ardhmen e afërt do të sjellë domosdoshmwrisht njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pse jo, mundësinë e bashkimit Kosovë-Shqipëri.