Pazar në behar? Nga Eduard Zaloshnja

OPINION


Tani që data e zgjedhjeve në Shqipëri është përcaktuar, mbetet për t’u përcaktuar sesi do të jetë fleta e votimit – me koalicione një-listore apo shumë-listore?

Kur u bënë ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, Edi Rama deklaroi se nuk do të ishte praktike të ketë koalicione shumë-listore, sepse fleta e votimit në qarkun Tiranë do të ishte sa një libër (çdo parti e madhe apo e vogël, me 34 emra kandidatësh secila). I menjëhershëm ishte reagimi i kryenegociatorit të PD-së për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi,  i cili publikoi një model flete votimi fare të thjeshtë për qarkun e Tiranës, që realizon votimin me lista të hapura, ndërkohë që mundëson koalicionet shumë-listore. Dhe kundërpërgjigjia e Ramës ishte: “Gjeni një vend të OSBE-së me sistem listash të hapura, që lejon koalicione shumëlistore”.


Gjatë pushimeve të gushtit, debati për koalicionet shumë-listore sikur u harrua, por me caktimin e datës së zgjedhjeve, partitë politike i janë rikthyer atij. Sepse nga përfundimi i atij debati mund të përcaktohet se kush do të jetë kryeministri i Shqipërisë në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Në qoftë se fleta e votimit të propozuar nga Bylykbashi dhe koalicionet shumë-listore pranohen në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, gara mund të jetë shumë e fortë, por edhe shumë e thjeshtë. Në qoftë se koalicioni shumë-listor PD-LSI-PDIU-PAA-etj. do të sigurojë të paktën 71 mandate, Lulzim Basha do të jetë kryeministri i ri. Në qoftë se koalicioni shumë-listor PS-PSD-PDS-etj. do të sigurojë të paktën 71 mandate, Edi Rama do të vazhdojë të jetë kryeministër.

Gara do të ndërlikohet ndjeshëm, në qoftë se lejohen vetëm koalicione një-listore. Në këtë rast, të gjitha partitë opozitare duhet të futen në një listë të vetme të përbashkët me 140 kandidatë. Por sa prej këtyre kandidatëve duhet të jenë të PD-së, sa të LSI-së, sa të PDIU-së, sa të PAA-së, e kështu me rradhë? Pikëpyetje e madhe kjo… Sepse secila nga partitë opozitare do të dojë të futet në zgjedhje me listën e vet të plotë të kandidatëve, në mënyrë që të maksimalizojë votat e saj.

Në këto kushte, LSI-ja mund të zgjedhë që të garojë me listë më vete në çdo qark. Ndërsa partitë e vogla opozitare mund të krijojnë një listë të veçantë, duke ndarë mes tyre qarqet ku kanë kandidatë me potencial më të madh votash.

Në qoftë se do të kemi një konfigurim të tillë elektoral, behari i ardhshëm mund të bëhet arenë e një pazari të paparë paszgjedhor. Thënë ndryshe, nëse as PS-ja e as PD-ja nuk sigurojnë të paktën 71 mandate më vete, merkatoja e futbollistëve, që zhvillohet çdo vit, do të duket si një lodër fëmijësh para pazarit tonë politik në behar…




Skip to toolbar