Një tren rajonal me rreth 100 pasagjerë ka dalë nga shinat në afërsi të Riedlingen, në shtetin gjerman të Baden-Württemberg, duke shkaktuar një aksident të rëndë me pasoja fatale. Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, kur një stuhi e fortë solli rrëshqitje dheu mbi shina, e cila besohet të jetë shkaku kryesor i daljes nga shinat.
Sipas autoriteteve, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa të paktën 34 janë plagosur, disa prej të cilëve rëndë. Treni, që po udhëtonte nga Villingen-Schwenningen drejt Ulm-it, kishte kaluar stacionin e parafundit dhe ndodhej rreth 45 kilometra nga destinacioni kur ndodhi aksidenti.
