Albi Xhunga: Nëse duam Europën na duhet Amerika

Më të fundit


Nga Albi Xhunga

 Nëse ka një ideal që bashkon shumicën dërmuese të shqiptarëve në të gjitha shtetet ku ata jetojnë, kjo është bindja se i vetmi destinacion ku ata duan të shkojnë është Bashkimi Europian dhe miqësia më e çmuar është ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si rezultat i këtij orientimi kombëtar që na vjen nga Rilindasit, Shqipëria dhe Kosova janë shtete ku influencat e fuqive të tjera nuk kanë asnjë peshë dhe ku nuk ka asnjë forcë politike pa një vokacion të qartë perëndimor. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për disa nga shtetet e rajonit, të cilat edhe si pasojë e faktorëve historikë janë më të dyzuar në orientimin e tyre të politikës së jashtme. Ky është një avantazh i madh për dy shtetet shqiptare, por fatkeqësisht një avantazh i pashfrytëzuar plotësisht, kryesisht për shkak të korrupsionit të shtetarëve që kanë drejtuar Shqipërinë dhe Kosovën në dekadat e fundit.  Megjithatë ky korrupsion i politikës fatmirësisht nuk ka ndikuar aspak në tendencën pro-perëndimore të shqiptarëve.


SHBA vs BE

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e duan Shqipërinë në BE, por europianët dhe amerikanët kanë një ndarje të heshtur në rrugën që ndjekin politikat respektive për arritjen e të njëjtit qëllim.

Politika e jashtme ka qenë gjithmonë thembra e Akilit për BE-në. Fakti që unioni përbëhet nga shtete me interesa të ndryshëm dhe me problematika të ndryshme, bën që ai të jetë vazhdimisht i përçarë në politikën e jashtme.

Njohja e Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë janë dy shembuj të qartë të përçarjes europianë në politikën e jashtme, por jo të vetmit.

Politika e zgjerimit të BE-së është përballur sistematikishit me probleme të brendshme si fuqizimi i forcave populiste, të cilët kanë penalizuar shtetet aspirante si Shqipëria dhe Kosova, por është e tepruar të thuhet se procesi ynë i integrimit është penguar vetëm nga ky faktor.

BE reagon dobët ndaj stanjacionit të proceseve demokratike në Shqipëri dhe Kosovë si pasojë e korrupsionit. Duke qenë i diskredituar në sytë e publikut, lidershipi politik në të dy vendet përpiqet ta ruajë pushtetin dhe influencën duke rrefuzuar (herë nën rogoz e herë hapur) të çmontojë skemat korruptive që e faktorizojnë, si militantizimi i administratës, mbajtja e një gjyqësori të dobët dhe influencimi mbi median me buxhete të fshehtë për propagandën dhe me konçensione për pronarët e saj.

Reagimi klasik i BE-së është përplasja e derës në fytyrë për Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo qasje nuk dëmton lidershipin politik që është fajtori kryesor, por popujt, të cilët në këtë rast ndëshkohen dyfish. Shoqëritë tona e kanë provuar në këto dekada (dy në Kosovë dhe tre në Shqipëri) se janë totalisht të paafta të luftojnë korrupsionin dhe t’i imponohen politikës për të çuar përpara proceset demokratike. Me drejtësi të kapur dhe të korruptuar, me institucione të dobëta dhe me një shoqëri civile të pafuqishme, përpjekja për të luftuar korrupsionin shndërrohet në një rreth vizioz nga i cili këto shoqëri e kanë të pamundur të dalin pa ndërhyrje nga faktorë të jashtëm.

Europianët, për shumë arësye, nuk kanë mundur të krijojnë mekanizma për të ndëshkuar politikanët e korruptuar. Ata ndëshkojnë shtetet e korruptuara dhe ironikisht ky ndëshkim i shërben politikanëve të korruptuar, të cilët janë më të interesuar të ruajnë pushtetin dhe privilegjet që vijnë prej tij, sesa të afrohen në një union ku kontrollet ndaj tyre do të jenë më rigoroze.

Ndërkaq Shtetet e Bashkuara janë shumë herë më efikasë në arritjen e qëllimeve të tyre në politikën e jashtme. Amerikanët, të cilët e praktikuan të parët modelin demokratik si atraksion për popujt nën diktaturë dhe vendet në zhvillim, shohin se kjo është një armë e fortë, por e pamjaftueshme ndaj autokratëve të korruptuar. Në ndryshim me BE-në, që sot është bashkimi ekonomik më i madh i botës, por me një politikë të jashtme të dobët, Amerika ka avantazhin të flasë me një zë të vetëm, i cili mbështetet nga fuqia që vjen nga ushtria më e fortë, shërbimet inteligjente më të afta dhe ekonomia më e madhe e Botës.

 Amerika ka shprehur interes të qartë për integrimin europian të Shqipërisë dhe Kosovës dhe vitet e fundit ka qenë shumë aktive në përpjekjet për realizimin e këtij qëllimi. Në ndryshim nga europianët që ndëshkojnë shtetet dhe për rrjedhojë popujt, politika amerikanë shënjestron fajtorët e vërtetë. Kjo politikë ka diturë të krijojë mekanizma efikasë për të luftuar bllokimet dhe sabotimet që vijnë nga zyrtarët e korruptuar. Refuzimi i vizës për zyrtarë të përfshirë në korrupsion, kërcënimi për ndërprerje të çdo marrdhënie të SHBA me ato organizata politike që kanë qasje bllokuese e destabilizuese dhe kërcënime nëpërmjet kanaleve jopublike, janë mekanizma që kanë dhënë rezultate të dukshme e të prekshme. Për kërcënimet private të zyrtarëve amerikanë mund të aludojmë se bëhet fjalë për publikim faktesh të përfshirjes së këtyre zyrtarëve në korrupsion, publikim pasurish të pajustifikuara në parajsat fiskale apo bankat që ruajnë identitetin, si dhe kërcënim për ngrirje të këtyre aseteve.

Për të ilustruar efikasitetin amerikan përballë dështimit europian do të na mjaftonin pak shembuj; mbyllja e ‘’Çadrës së Lirisë’’ dhe futja në zgjedhje e opozitës në vitin 2017, dështimi i protestave të dhunshme me qëllim destabilizimin, futja në rresht e 140 deputetëve për të votuar reformën në drejtësi, largimi i Saimir Tahirit nga posti i ministrit të brendshëm dhe diskreditimi publik i Adriatik Llallës. Në të gjitha këto raste presioni europian dështoi, sepse është presion që i bëhet shtetit dhe jo lidershipit dhe nuk ka mekanizma ndëshkimi, ndërsa presioni amerikan pati sukses të plotë sepse shënjestroi individualisht përgjegjësit e vërtetë. Më flagranti është suksesi i Zv. Ndihmes Sekretarit amerikan të Shtetit, z. Hoyt Brian Yee, i cili erdhi, kërcënoi dhe fitoi pa ofruar asgjë, në raport me dështimin e plotë të ofertës gjeneroze të BE sjellë në Tiranë nga negociatorët e Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein dhe Davin McAllister. Shpesh shkopi është më efikas se karrota.

Duke qenë se poltika e Bashkimit Europian për integrimin e shteteve kandidate është thellësisht burokratike dhe se kjo burokraci bëhet padashur aleate e lidershipit të korruptuar, shtete si Shqipëria dhe Kosova e kanë shumë të nevojshme ndërhyrjen energjike amerikane. Pragmatizmi i politikës së drejtëpërdrejtë amerikane është jetik për çlirimin e shoqërive tona thellësisht të zëna në ngërç nga korrupsioni omni-prezent.

Megjithëse gjeografikisht janë shumë larg nga njëri-tjetri, rruga jonë për në Bruksel duhet të kalojë nga Uashingtoni.




Skip to toolbar