Partia e Lirisë duket e pavendosur në aleancën me Partinë Demokratike në këto zgjedhje. Në kulmin e fushatës elektorale, anëtarë të këshillit bashkiak në Durrës, vënë në diskutim besnikërinë ndaj demokratëve, ndërsa bashkojnë votat me Partinë Socialiste në mbledhjen e këshillit për një pikë të rendit të ditës. Bashkimi I votave PL-PS për ndryshimin e një sipërfaqeje pyjore në Gjirin e Lalzit, I hapi rrugë ndërtimit të një kompleksi turistik në atë zonë.
Këshilltarët e Partisë Demokratike, që ishin vetëm 3 në sallë dhanë votën e tyre kundër, ndërsa këshilltarët e Partisë së Lirisë dhe Partisë Socialiste, me 31 vota, votuan pro projektvendimit të propozuar nga bashkia. Ndërtimi I resortit turistik ka marrë aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, por sipas këshilltarëve të Partisë Demokratike bregdeti I Durrësit është betonizuar mjaftueshëm, ndërsa të majtët mbrojnë idenë që resorti I jep një hov të madh zhvillimit të turizmit dhe punësimit.
Të dy kahet akuzuan njëri tjetrin për dëmin e bërë në mjedis në 35 vite demokraci.
Kjo mbledhje e Këshillit Bashkiak që u mbajt në kulmin e fushatës elektorale u drejtua nga kryetarja e komanduar Denisa Luarasi,pasi Ani Dyrmishi garon për një mandat deputeti në parlamentin e ardhshëm nën siglën e Partisë Socialiste.